BE kërkon nga liderët e Ballkanit të mos japin deklarata që dëmtojnë pajtimin

BE kërkon nga liderët e Ballkanit të mos japin deklarata që dëmtojnë pajtimin

Bashkimi Evropian pret nga liderët në Ballkanit Perëndimor që të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të dëmtojnë fqinjësinë e mirë dhe pajtimin, përkatësisht midis Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.

Kështu deklaroi të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur është pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ndaj serbëve që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi.

“Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE, se ata do të duhej të përmbushin obligimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, para pak ditësh ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese, për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi. /Insajderi.com