BE kërkon të votohet buxheti për vitin 2021 para zgjedhjeve

BE kërkon të votohet buxheti për vitin 2021 para zgjedhjeve

Derisa njoftojnë se janë duke i përcjellur zhvillimet në Kosovë, Bashkimi Evropian kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë buxhetin për vitin 2021.

Kështu bëhet e ditur për Gazetën Online Insajderi nga zyra për komunikim e BE-së, nga ku tutje njoftojnë se janë në pritje të publikimit të plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me shpalljen e pavlefshme të votës së deputetit, Etem Arifi për formimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

BE tutje thotë se do të vazhdojë ta promovojë me të gjithë në Kosovë agjendën për integrime evropiane.

“Ne po presim publikimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tani u takon institucioneve të Kosovës të vazhdojnë me hapat e duhur në përputhje me vendimin”, thuhet në përgjigjen e tyre drejtuar redaksisë.

“BE do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme. Veçanërisht, e rëndësishme është që buxheti i vitit 2021 të miratohet nga ky Kuvend sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndërkaq, sa i përket procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, nga Blloku theksojnë se janë të angazhuar në të me palët e të dyja vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Për Kosovën dhe Serbinë, rruga e tyre përkatëse drejt BE-së kalon përmes Dialogut. Ne vazhdojmë të presim që Kosova të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre për Insajderi-n.

Gjatë mbrëmjes së 21 dhjetorit, Kushtetuesja ka publikuar vendimin (ende jo të plotë), i cili e shpall të pavlefshme votën e Etem Arifit, deputetit të dënuar, i cili vjen nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, vota e të cilit ishte definitive për formimin e qeverisë tashmë në detyrë.

Sipas vendimit të Kushtetueses, zgjedhjet janë të parapara të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes nga ana e presidentes në detyrë.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë pas publikimit të këtij vendimi, u.d e presidentes, Vjosa Osmani, ka zhvilluar disa takime për dy ditë radhazi me përfaqësues të partive politike, për të diskutuar rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Data e cila është përmendur nga disa figura që ishin pjesë ta takimeve ishte 7 shkurti.

Nga ana tjetër, këtë vendim të Kushtetueses e pranoi pa e komentuar edhe vetë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili tha se do të vazhdojë punën e tij derisa të zgjedhet qeveria e re. /Insajderi.com