BE: KQZ të punojë pa ndërhyrje, certifikimi i kandidatëve përcaktohen me ligj

BE: KQZ të punojë pa ndërhyrje, certifikimi i kandidatëve përcaktohen me ligj

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se nuk duhet të ketë ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura dhe organet gjyqësore sa i përket vendimeve që merren për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 14-shkurt.

Ky reagim nga Zyra e BE-së, erdhi pas deklaratës së kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se ndjehet e kërcënuar nga kandidatë për deputetë të caktuar, lidhur me vendimin që do të merret për ta sa i përket zgjedhjeve të shkurtit.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Dinka Zivalj, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se “është e rëndësishme që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse gjyqësore të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”.

Sipas saj, mënyra më e mirë për të reaguar kandidatët të cilët janë të pakënaqur me vendimet që merren për këto zgjedhje është mundësia për ankesë.

“Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në vazhdim. Këto procedura përcaktohen me ligj dhe përfshijnë mundësi ankese”, thotë Zivalj.

Zëdhënësja e BE-së tutje thotë se presin që institucionet e Kosovës të sigurojnë organizimin e zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të zhvilluara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë të mbajtur sot për media, ka thënë se po ndjehet e kërcënuar nga disa parti politike, kandidatëve të të cilave iu pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet nacionale.

Daka thotë se vendimi për pamundësinë e marrjes pjesë në këto zgjedhje, e ka marrë Gjykata Kushtetuese ndërsa KQZ vetëm zbaton ligjet.

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjyaktës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë. Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar. Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, ka thënë ajo.

“Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre”.

“I ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe nga akuzat dhe të respektojnë vendimet, e të na lejojnë të bëjmë punën tonë bazuar në ligj e në Kushtetutë”, ka thënë Daka.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka verifikuar listën me 1081 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit

Kjo listë i është dorëzuar Komisionit Qendror Zgjedhor dhe sipas KQZ-së, 47 kandidatë janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Njëri nga kandidatët për deputë që është shpallur fajtor për vepër penale me vendim të prerë të Gjykatës është edhe kandidati i VV’së për kryeministër, Albin Kurti.

Por moscertifikimin e Kurtit për të kandiduar për deputet po e kundërshtojnë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Glauk Konjufca mbrëmë në një intervistë në RTV Dukagjini ka deklaruar se Valdete Daka është kundër bartësit të listës së Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

“Personi i cili ne KQZ po ndikon qe edhe kerkesa me qene sugjestive dhe kunder Albin Kurtit eshte Valdete Daka. Ata kurgjo nuk po zbatojne (KQZ), po dojne eleminim politik”, ka deklaruar Konjufca, deklaratë kjo pas të cilës ka ardhur edhe reagimi i Dakës.

Ndërsa, Kurti – i cili është njëri nga deputetët që nuk do të mund të garojnë në zgjedhje, të enjten është deklaruar rreth moscertifikimit të tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, për çka Kurti thotë se subjekti të cilin e drejton e ka dorëzuar listën dhe ajo është lista e LVV-së.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti ka qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell, për një darkë me ish-Presidentin, por ai është viti i kaluar, mendoj se institucionet e shtetit duhet të apdejtohen, në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve”, deklaroi Kurti.

Ai tha se është bartës i listës që i respekton në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Jam bartës liste i cili i respekton me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, tha tutje Kurti.

Këto deklarata ai i bëri në lagjen “Velania”, pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, ku bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanin, bënë homazhe në 15-vjetorin e vdekjes së presidentit historik. /Insajderi.com