BE: Mundësi për marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka kohë për të humbur

BE: Mundësi për marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka kohë për të humbur

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po mbajnë një debat strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, të bazuar në dokuemntet jozyrtare të përpiluara nga Përfaqësuesi i Lartë i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, transmeton Insajderi.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’, në “Non-paper”-in mbi “Angazhimin e zgjeruar të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet se Serbia pritet të përshpejtojë dinamizmin e reformave në vend dhe gjithashtu të përdorë shansin për të arritur një marrëveshje me Kosovën.

Këtij artikulli i është bashkëngjitur edhe një video, ku shihen kryediplomatët e vendeve të BE-së duke u bërë gati për këtë debat strategjik.

Raportohet se në tekstin e këtij dokumenteti vlerësohet se autoritetet në Prishtinë dhe Beograd nuk kanë kohë për të humbur, derisa BE po punon për të mundësuar vazhdimin e procesit të negociatave midis dy palëve në Bruksel.

Sipas dokumentit, Prishtinës i kërkohet të bëjë “përpjekje vendimtare të reformës” si dhe “përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE” në mënyrë që të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

Duke theksuar se është e nevojshme të “përshpejtohet procesi i integrimit” të Serbisë, Beogradi thirret të përshpejtojë reformat “veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes”, por gjithashtu “të konsolidojë orientimin e tij gjeopolitik”.

Dokumenti thekson se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është “një interes politik, sigurie dhe ekonomik” dhe “një investim në një Bashkim të qëndrueshëm dhe të prosperuar”.

“Ballkani Perëndimor ka një qëllim të qartë për t’u bërë një pjesë e plotë e BE dhe nuk dëshiron të jetë i kënaqur me bashkëpunimin e zgjeruar ekonomik, tregtar dhe financiar,” lexon teksti. /Insajderi.com