BE nuk guxon t’i zhgënjejë vendet e Ballkanit Perëndimor

Liderët e BE kanë marrë një letër paralajmërimi: Disa forca rajonale dhe globale kanë interes politik dhe financiar t'i pengojnë ambiciet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

BE nuk guxon t’i zhgënjejë vendet e Ballkanit Perëndimor

Njëmbëdhjetë euro parlamentarë kanë dërguar një letër të hapur liderëve të BE në të cilën kërkojnë që në samitin e BE më 28 dhe 29 qershor kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare të merren vesh mbi hapat vendimtare në kuadër të politikës së BE për zgjerim. BE duhet të mbetet partnere e besueshme dhe nuk guxon t’i zhgënjejë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Deputetët evropian, në mes tyre edhe raportuesit dhe kryetarët e delegacioneve për marrëdhënie me vendet e Ballkanit Perëndimor siç janë Tania Fajon, Eduard Kukan, Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein, Charles Tannock, Igor Soltes etj. kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Këshillit të Evropës Donald Tusk dhe liderëve të BE para samitit i cili do të mbahet në Bruksel, transmeton Insajderi.com.

“Është koha e duhur për vendim të guximshëm i cili vërtetë e hap rrugën kah integrimi i suksesshëm i gjashtë vendeve  dhe 18 milionë qytetarëve të cilët jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, kanë porositur deputetët e Parlamentit Evropian.

Ata kanë përkujtuar se arritja e marrëveshjes për emër në mes të Greqisë dhe Maqedonisë me çka është hapur rasti që të sillet edhe një vend i Ballkanit Perëndimor në kuadër të BE dhe kështu të mbjellë farën e paqes dhe prosperitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

“Zgjedhja që të jetohet në paqe dhe prosperitet, ku sundojnë sundimi i ligjit dhe institucionet efikase demokratike, i bashkojnë qytetarët e të gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë”, shkruan në letër.

“I bëjmë thirrje liderëve të tregojnë përkushtimin e tyre të qartë për perspektivën evropiane të gjithë rajonit ashtu që do të pajtohen rreth hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe të shpërblehen që përpjekjet reformatore të Bosnjës dhe Hercegovinës varësisht nga rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme më 7 tetor”.

Ata gjithashtu kanë bërë thirrje për hapjen e kapitujve të rinj për Malin e Zi dhe Serbinë.

Parlamentarët evropian theksojnë se BE duhet të mbetet partnere e besueshme për rajonin sepse kushtet për hapat e ardhshme janë përmbushur, ashtu si kanë theksuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian./Insajderi.com.