Bashkimi Evropian nuk komenton mbi raportimin e mediave sa i përket interpretimit të deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se mund të ketë një konflikt nëse përpjekjet për paqe me Kosovën dështojnë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, tha se Blloku gjithmonë u ka bërë thirrje akterëve politikë që të ketë stabilitet dhe bashkëpunim midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk komentojmë mbi raportet e mediave ose vërejtjet e të tjerëve që interpretojnë deklaratat e dikujt tjetër”.
“Si parim i përgjithshëm, ne gjithmonë u kemi bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe pjesën tjetër të rajonit që të promovojnë një atmosferë të favorshme për stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin”, ka thënë Stano për Insajderi-n.
Ndonëse u kërkuan reagime lidhur me deklaratën e djeshme të Vuçiq, as nga NATO nuk kanë pranuar të komentojnë këto deklarata.
Zyrtarë të NATO-s thonë se “misioni i udhëhequr nga NATO-KFOR mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij të KB për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës, që rrjedhin nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thotë Daniele Riggio, zëdhënësi për shtyp dhe media i KFOR për redaksinë.
Ata tutje kanë shtuar se vazhdojnë të mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit “si zgjidhja e vetme e qëndrueshme politike për stabilitetin në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Riggio.
Vuçiq dje dha një deklaratë provokuese, duke thënë se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.
Për këtë pati reagime të shumta edhe nga zyrtarët e lartë të Prishtinës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.
Ndërsa kryeministri, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë”, tha në anën tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, duke shtuar se “krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”.
Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene. Luftimet për kontrollin e këtij rajoni kanë shpërthyer qysh më 27 shtator, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.
Një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes. /Insajderi.com