BE për Insajderin rreth hartës ku Kosova shihet “si pjesë” e Serbisë: Pretendimet e mediave lokale janë të rreme

BE për Insajderin rreth hartës ku Kosova shihet “si pjesë” e Serbisë: Pretendimet e mediave lokale janë të rreme

Bashkimi Evropian ka demantuar lajmet sa i përket hartës së shfaqur pas Miroslav Lajçakut, të dërguarit të posaqëm të Unionit për bisedimet Prishtinë-Beograd, në të cilën Kosova shihej “si pjesë integrale” e Serbisë.

Zëdhënësi i BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, është deklaruar pas raportimeve të mediave se Miroslav Lajçak, ndonëse ishte duke folur për bisedimet midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, po mbante pas një hartë ku shihej se këto dy vende në fakt ishin një.

Stano thotë për Gazetën Online Insajderi se “pretendimet e mediave lokale janë të rreme”.

Ai thotë se harta zyrtare e BE-së në zyrën e EUSR-së është në përputhje me pozicionin e BE-së – statusi neutral.

“Unë do të rekomandoja të gjithë të përqendrohen në çështjet reale që ndihmojnë për të ecur përpara me Dialogun për normalizimin, në vend që të përpiqen të krijojnë histori të rreme”, ka thënë Stano.

Gajtë ditës së djeshme u raportua se teksa Lajçak fliste për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, harta pas tij e mbante Kosovën “si pjesë” të Serbisë.

Kjo ka shfaqur reagime në Prishtinë, por një gjë e tillë ka rënë “në sy” edhe të mediave serbe.

Gjatë intervistës së djeshme për EWB, Lajçak po fliste për vizitën që do ta ketë në Prishtinë e Beograd rreth rifillimit të dialogut midis dy vendeve.

Në këtë intervistë emisari evropian foli edhe për fitoren e Albin Kurtit në votimet e 14 shkurtit për të cilën tha se “Kurti ka marrë një mandat të fortë”. /Insajderi.com