BE për liberalizimin: Në qershor nuk pritet të jetë as në rend dite

BE për liberalizimin: Në qershor nuk pritet të jetë as në rend dite

Në Kosovë ka pritje të ndryshme, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj shprehet entuziast se një gjë e tillë do të ndodh shpejtë dhe uron qytetarët, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mjaft skeptik se një gjë e tillë mund të ndodh, duke treguar se gjatë qëndrimit të fundit në Berlin ka vërejtur mospajtime të mëdha tek shtetet e BE-së në atë se nëse duhet që kosovarëve t’iu hiqet regjimi i vizave.

Por përtej këtyre pritjeve të liderëve të shtetit, nga Bashkimi Evropian konfirmojnë se heqja e vizave për kosovarët nuk pritet të ndodh, të paktën brenda një afati të shkurtër kohor, që përfshinë edhe muajin qershor.

Në një përgjigje për Gazetën Express një zyrtarë i lartë i BE-së, ka thënë se liberalizimi i vizave për kosovarët nuk do të jetë temë e diskutimeve në takimet që Këshilli Evropian do të mbajë gjatë muajit qershor.

“Tema e liberalizimit të vizave nuk pritet që të jetë në agjendën e takimeve të  Këshillit për Punë të Brendshme dhe Këshillit Evropian që do të mbahen në qershor”, ka thënë ky zyrtarë i lartë i BE-së.

Ndërkohë në pyetjen se nëse mund të pritet të merret ndonjë vendim pozitiv, që kosovarët të lëvizin  lirshëm  këtë verë në zonën Shengen, ky zyrtar ka thënë se nuk mund të spekulojë se kur mund të merret një vendim i tillë.

“ Nuk më takon mua që të spekulojë se kur mund të merret një vendim  për këtë çështje”, thuhet në përgjigje.

Fakti që nuk pritet të merret nga BE një vendim për liberalizim të vizave në qershor të këtij viti, hedh poshtë edhe kalkulimet rreth asaj  se mund të ketë një vendim pozitiv para Samitit të Parisit, në shkëmbim të heqjes së vendimit për taksë ndaj produkteve serbe e boshnjake (gjë për të cilën ka folur edhe ish-diplomati amerikan Daniel Serwer)

Përveç kësaj, mos marrja e ndonjë vendimi në qershor, do të bëjë që procesi të shtyhet edhe më shumë, pasi që lënda e liberalizimit të vizave që ndodhet aktualisht në dorën e Përfaqësisë së Përhershme në BE të Rumanisë, do të kalojë tek Finlanda.

Kjo do të bëjë që procesi përsëri t’i nënshtrohet procedurave teknike brenda Përfaqësisë së Përhershme të Finlandës në Bashkimin Evropian, gjë që mund të shkaktojë përsëri vonesa.

Shtuar këtyre, vonesa do të shkaktojnë edhe zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian, e ku institucione të reja nuk do të ketë deri në shtator apo tetor të vitit 2019.

Ndërkohë deri tani i vetmi shtet që ka dalë hapur në përkrahje të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Këtë e ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që ka pasur me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë në Berlin, Horst Seehoher, në Berlin një ditë pas Samitit të 29 prillit.

Megjithatë një prej shteteve më të mëdha në Evropë, Franca, nuk është në përkrahje të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kështu ka thënë ministri i jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, i cili ka konstatuar se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave, duke përmendur këtu luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“ Franca bashkë me disa shtete të tjera anëtare, beson se në këtë fazë nuk janë përmbushur të gjtiha kushtet. Në fushën e sundimit të ligjit është bërë një përparim vetëm kohëve të fundit, por jo i mjaftueshëm për të ndalë korrupsionin. Prandaj vazhdimi i reformave është i domosdoshëm për të pasur rezultate të prekshme në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ligjet e miratuara së fundmi duhet të zbatohen shpejtë ” ka thënë ministri francez.

Nëse një shtet i madh si Frana është kundër liberalizimit të vizave, atëherë shanset që Kosova të marr liberalizimin janë jashtëzakonisht të vogla. Nëse nuk voton Franca për, atëherë edhe nëse votojnë ‘pro’ të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën  e që janë në Shengen, përsëri nuk do të ketë vota të mjaftueshme për të kaluar liberalizimin e vizave për Kosovën.

E për këtë mos unitet të shteteve të BE-së rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, ka folur edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili thotë se një gjë të tillë e ka nuhatur në Samitin e Berlinit.

Në të njëjtën kohë ai është shprehur edhe i irrituar me një qëndrim të tillë të BE-së, duke thënë se kosovarët janë mashtruar vazhdimisht, duke përmendur edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, si kompromis për liberalizim të vizave.

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave, dhe kjo çështje tashmë ka mbetur nën mëshirën e politikës së brendshme të Bashkimit Evropian. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Ballkan që nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Shengenit.

E liberalizimi i vizave ka qenë premtim i politikanëve kosovarë sa herë janë organizuar zgjedhje lokale e qëndrore. Atë e kishte premtuar Hashim Thaçi qysh në vitin 2012, madje Bekim Çollaku kishte festuar edhe me shampanjë për liberalizimin që nuk po ndodh. Atë e kishin uruar edhe zyrtarë të lartë LDK’së, duke filluar nga kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, e deputeti Arban Abrashi. Ndërkohë tash së fundi me urime për vizat ka filluar kryeministri Ramush Haradinaj.