BE: Për targat kërkohet fleksibilitet dhe kompromis

BE: Për targat kërkohet fleksibilitet dhe kompromis

Në prag të afatit për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat e automjeteve nga Kosova dhe Serbia, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje raporton Radio Evropa e Lirë

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot do të takohet ndaras me kryenegociatorët nga Prishtina dhe Beogradi, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, në një përpjekje përfundimtare për të arritur një marrëveshje për targat.

Tani për tani, e vetmja gjë e sigurt është se Lajçak do të takohet ndaras me bashkëbiseduesit e tij nga Prishtina dhe Beogradi. Nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Të enjten (21 prill) pritet të mbahet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Takimi i praparë për të enjten në Bruksel, pritet të mbahet rreth orës 13:00.

Ndërkaq, një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Deri më tash, palët nuk kanë dhënë sinjale – të paktën jo publikisht – se janë afër një marrëveshjeje të përhershme për targat.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë, thotë se arritja e kompromisit eventual për çështjen e targave është e vështirë, marrë parasysh se, deri më tash, nuk duket se ka përafrim ndërmjet palëve.

Demhasaj thotë se tani ekzistojnë dy opsione: që marrëveshja e përkohshme të vazhdohet edhe për një kohë, ose që palët të kthehen në pozicionet fillestare, që kanë qenë para marrëveshjes së përkohshme.

Edhe Dushan Radakoviq, nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, nuk pret që palët të arrijnë marrëveshje të përhershme për targat deri më 21 prill, edhe pse, sipas tij, palët kanë dhënë disa propozime.

Ai thekson se, në bazë të informacioneve që ka, një nga opsionet për marrëveshje është që Kosova t’i ndryshojë targat e saj dhe në vend të akronimit RKS [Republika e Kosovës], të ketë akronimin KOS, që nënkupton Kosova.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim./Insajderi.com