BE pret që qeveria e re ta vazhdojë dialogun me Serbinë

BE pret që qeveria e re ta vazhdojë dialogun me Serbinë

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje qeverisë së re ta vazhdojë dialogun me Serbinë, njofton Insajderi.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, thuhet se BE-ja do të angazhohet me institucionet e reja të Kosovës me synim për të arritur përparim në rrugën evropiane dhe se pret që institucionet e reja të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.

“Kjo do të kërkojë që Kosova të avancojë në reforma, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në përparimin rajonal.

Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe synim të vazhdimit të takimeve në dialogun me Serbinë të ndihmuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para vetes për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut./Insajderi.com