Pasivizimi i listave të votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, ka zgjuar vëmendjen edhe të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i ka thënë SHQIP.com se kjo çështje është duke u monitoruar për të shikuar nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut.
“Jemi në dijeni të raporteve për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Serbinë Jugore dhe vërejmë gjetjet paraprake të Zyra e OSBE- së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR-it) në këtë drejtim. Ne po monitorojmë situatën rreth angazhimeve të marra në kuadër të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, ka thënë Stano.
Mes tjerash, ai ka kërkuar që Serbia brenda ‘kapitullit 23 ‘Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore’ të zbatojë kornizën e saj ligjore dhe planin e dedikuar të veprimit për pakicat”, ka thënë Stano.
Në kuadër të këtij Kapitulli, kërkohet nga shtetet anëtare ose shtetet që synojnë anëtarësimin në BE, të “shqyrtojnë, respekojnë dhe mbrojtjnë pakicat dhe të drejtave kulturore, në bazë të dokumenteve ndërkombëtare si dhe dispozitave Kushtetuese të shteteve kandidate”, thuhet në këtë pikë.
Zëdhënësi i BE-së, ka thënë se nuk i “komentojnë vërejtjet individuale të eurodeputetëve’’.
“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, kishte shkruar Von Cramon në “Twitter”.
Rreth kësaj çështje, kishte reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani bëri thirrje komunitetit ndërkombtarë që ta denojë këtë gjë.
“Sipas raportimeve, 6.000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, shkroi Osmani në Twitter.
Ndryshe, në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues./Insajderi.com