BE: Thaçi ishte i përfshirë në fotografitë për 10 vjetorin e dialogut Kosovë-Serbi

BE: Thaçi ishte i përfshirë në fotografitë për 10 vjetorin e dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian ka demantuar lajmin se Shërbimi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, nuk e ka përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mesin e fotografive përgjatë 10 vjetëve rrugëtimi të negociatave midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që ngjalli reagime nga akterë të fushës politike në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sqaron se në fotografitë e publikuara në faqen zyrtare të këtij Shërbimi – në kuadër të 10 vjetorit të nisjes së dialogut Kosovë-Serbi – është i përfshirë edhe Thaçi.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, Stano thotë se gjithashtu është e rëndësishme të kihet parasysh që fotografitë të cilat përdoren në artikujt dhe publikimet në Twitter të Shërbimit për Punë të Jashtme dhe Siguri, nuk aspirojnë të kapin vizualisht substancën e plotë të gjithçkaje çfarë ka ndodhur në një ngjarje të caktuar.

“Në faqen e internetit të EEAS unë shoh një foto duke përfshirë z. Thaçi dhe gjithashtu e shoh atë foto në cicërimën nga EUSR, Lajçak. Kështu që unë nuk shoh ndonjë çështje atje”, ka thënë Stano.

“Artikujt në faqen e internetit të EEAS dhe cicërimat përdorin foto dhe fotografi vetëm si ilustrim, përdorimi ilustrues i fotos nuk aspiron të kap vizualisht substancën e plotë dhe të tërë dhe të sigurojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të gjithçkaje që ka ndodhur në një ngjarje të caktuar dhe të tregojë të gjithë ata që kanë qenë ndonjëherë të përfshirë në atë ngjarje”, shton Stano, derisa qartëson se ky përdorim ilustrues i fotografive për të mos krijuar pikëpamje apo pozicione politike të BE-së, shërben vetëm për një qëllim ilustrues.

Të martën e 9 marsit Unioni ka publikuar fotografi në kuadër të vitit jubilar, i cili shënon nisjen e negociatave midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku janë parë pamje ndër vite të delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi.

Aty shihen Edita Tahiri, Isa Mustafa e Avdullah Hoti si kryenegociatorë, por ndryshe nga artikulli i gjerë, në këtë postim në Twitter nuk  është vendosur ndonjë fotografi ku shihet edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili kishte marrë pjesë aktivisht në bisedime.

”10 vjet më parë, delegacionet nga Beogradi & Prishtina u ulën për herë të parë për të lënë të kaluarën pas dhe për të gjetur mënyra përpara për bashkëpunim. Qëllimi i mbetet akoma: të arrijmë progres në rrugën e tyre përkatëse, dhe të përmirësojmë jetën e njerëzve”, thuhet në postimin e Shërbimit për Punë të Jashtme dhe Siguri, të Bashkimit Europian.

Ky shkrim i ilustruar edhe me pamje mori reagime nga figura jo-pak të rëndësishme në diplomacinë kosovare.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar për mospërfshirjen e ish-presidentit Thaçi, në këto fotografi.

Me anë të një postimi në Twitter, Çitaku ka kërkuar përgjigje nga BE nëse marrëveshjet të cilat ishin të nënshkruara nga Thaçi nuk janë më të vlefshme.

“Duket se e keni harruar se kush ishte Kryeministri i Kosovës që nënshkroi marrëveshjen e Brukselit. Apo ndoshta ju thjesht po përpiqeni të na thoni se marrëveshjet që Thaçi nënshkroi nuk janë më të vlefshme?!”, ka pyetur ajo në postimin e saj në Twitter. /Insajderi.com