Bashkimi Evropian ka vendosur të mos i komentojë vendimet e Gjykatës së Lartë në Serbi, derisa u pyet për refuzimin që të shpallet fajtor Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Edhe pas reagimeve të shumta sa i përket këtij gjykimi që nënkupton legalizimin e termit ofendues “šiptari”, Unioni thotë se ajo çfarë është e rëndësishme për vendet që tentojnë t’i bashkohen BE-së, është që të përmbushin angazhimet e tyre në kuadër të negociatave të pranimit “veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”.
Kështu është shprehur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, e cila tutje tha se këto vende duhet të forcojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
“Liderët politik duhet të udhëheqin me shembull në zgjedhjen për të punuar së bashku dhe promovimin e
një klime besimi, respekti dhe mirëkuptimi të ndërsjellë”, ka thënë tutje ajo.
Se a ndodh shpesh kjo në media e deklarime zyrtare, ka treguar korrespondenti nga Beogradi, Idro Seferi, i cili tha se përkundër faktit se disa media dhe një ministër, në këtë rast Aleksandar Vulin, e kanë përdorur në publik këtë term, një gjë e tillë nuk ndodh vazhdimisht.
“Nuk ndodh shpesh kjo dhe jo të gjithë në Serbi e dinë konotacionin e kësaj fjale pasi është si në të folurën në Kosovë e vendet e tjera ‘Shkije’ që dikujt i duket normal, por është term pezhorativ dhe fatmirësisht gazetarët në Kosovë nuk e përdorin”, është shprehur Seferi.
Ai më pas ka përmendur një shembull se si në jetën e përditshme njerëzit e përdorin, por kur ua tregon historinë kërkojnë falje.
“Personalisht më ka ndodh në një festë të me pyet dikush nëse jam shiptar dhe në atë moment reagimi i nikoqirit edhe i mysafirëve ka qenë aq i ashpër sa që kur personi e ka kuptuar që është gabim jam ndje keq me numrin e kërkim faljeve. Por, ky emër është kryekëput narracion politik dhe vetëm ashtu mund të zhduket, por diskutimi i saj ka të bëjë me ndryshimin e qasjes dhe pretendimeve për një dialog të sinqertë”, ka thënë ai për redaksinë.
Çështjen e këtij vendimi të Supremes e nisi para disa ditëve përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili derisa mori fjalën e tij në Kuvend, foli në gjuhën shqipe për vendimin e kësaj gjykate.
“Sot është e një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’. Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Për gjykatën e lartë nuk vlen më as vendimi i Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2018, e cila pati sanksionuar përdorimin e termit ‘šiptar’ si gjuhë urrejtje. Nuk vlen as mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, që e ka cilësuar përdorimin e termit ‘šiptar’ si nënçmues, fyes dhe shkelje e Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit”, ka thënë ai.
Edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka reaguar pas deklaratës në parlamentin e Serbisë së ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, ku ky i fundit e arsyetoi termin “šiptari”.
Mustafa tha se drejtësi do të kërkojnë edhe në Gjykatën e Strasburgut, gjykatë kjo për të drejtat e njeriut.
“Për gjuhën ofenduese e denigruese do të ndjekim edhe në Gjykatën e Strasburgut. Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin duke arsyetuar në parlament përdorimin e termit pezhorativ e ofendues ‘šiptari’ kërkon që shqiptarët të jeni si Esad Pash Toptani. Në deklarimin e tij thotë që nuk dëshiron që deputetin Shaip Kamberi ta krahasoj me Shaban Palluzhën, por me Esad Pash Toptanin. Duke mos u mjaftuar me gjuhën e urrejtjes z. Vullin përcakton se çfarë shqiptar e me çfarë karakteristika janë të përshtatshëm për Serbinë”, ka shkruar ai mes tjerash në “Facebook”. /Insajderi.com