“Bechtel & Enka” merr miliarda euro nga Kosova, punëtorët i lë pa masa sigurie

“Bechtel & Enka” merr miliarda euro nga Kosova, punëtorët i lë pa masa sigurie

Punëtori 41-vjeçar Tafil Tafallari gjatë muajit tetor të këtij viti ka gjetur vdekjen në vendin e tij të punës në vendpunishten e komapnisë “Bechtel Enka” e cila po punon në ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Kjo ishte vdekja e dytë brenda një muaji në kompaninë e njëjtë, derisa Inspektorati i Punës e ka përpiluar raportin në lidhje me rastin.

Vdekja e 41 vjeçarit më 28 tetor, ngjalli një alarm serioz për rastet e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, pasi ky ishte punëtori i dytë brenda punishtës së “Bechtel & Enka” që gjeti vdekjen në muajin tetor gjatë punës në autostradën “Arbën Xhaferi”.

E, derisa në ditët pas ngjarjes u dhanë disa versione të përafërta se si kishte ndodhur rasti me fatalitet, tash pas një muaji Inspektorati i Punës të Kosovës ka versionin final të saj. Inspektorati i Punës ka raportin zyrtar, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me ngjarjen.

Këtë raport për Ndërtimi.info e ka interpretuar zëvendëskryeinspektorit të Punës për Siguri në Punë, Agim Millaku.

Raporti i Inspektoratit të Punës i hartuar më 3 nëntor, gjen se organizmi i punës nuk ka qenë në nivelin e duhur e i përcjellur mirë dhe punëdhënësi e ka vënë punëtorin në rrezik jete.

Sipas këtij raporti viktima, Tafil Tafallari është gjetur 450 metra larg vendit të tij të punës, por që prapë ka qenë brenda territorit të vend punishtes.

Kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi ka theksuar më herët për Insajderin se viktima e fundit është i vetmi i cili ka qenë punëtor direkt i “Bechtel – Enkas”.

“ Të gjitha rastet që kanë ndodhur deri tani, sepse nuk është ky rasti i parë dhe i vetmi, deri tash është rasti i katërt, kryesisht kanë qenë punëtorë të nënkontraktorëve. Sipas informatave ky është punëtori i parë i “Bechtel-Eknas”, të tjerët kanë qenë punëtorë të nëkontraktorëve të “Bechtel-Enkas”, ka shtuar ai.

Ndryshe kjo kompani është kompania që ka fituar më së shumti fonde publike nga buxheti i shtetit. Konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” punoi për tri vjet e gjysmë, duke shtruar asfalt deri në afërsi të Prishtinës. Autostrada e Kosovës “Ibrahim Rugova” u hap për qarkullim më 28 nëntor 2013.

Gjerësia e autostradës është 28 metra. Ajo ka katër shirita qarkullues nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezin e gjelbër mes shiritave të kahjes së kundërt.

Në vitin 2013 është kryer autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë dhe vetëm një vit më vonë, në 2014, kanë filluar punimet e autostradës që lidh Kosovën më Maqedoninë, e quajtur “Arbën Xhaferi”.

Gati një miliard euro ka shpenzuar qeveria e Kosovës për ndërtimin e autostradës nga pika kutare e Morinës me Shqipërinë deri në fshatin Besi të komunës së Prishtinës. Ndërsa për autostradën “Arbën Xhaferi”, fillimisht ishin paraprë 600 milionë euro për 55 kilometra, por së fundmi kostoja ka arritur gati 800 milionë euro për 62 kilometra.

Vetëm tri ditë më parë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar se duhet të alokohen edhe 63 milionë euros shtesë nga kontrata fillestare për përfundimin e rrugës.