Bedri Hamza, Albulena Haxhiut: Ti je juriste e dobët

Bedri Hamza, Albulena Haxhiut: Ti je juriste e dobët

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave nga radhët e PDK-së Bedri Hamza janë përplasur sot gjatë seancës së Kuvendit lidhur me çështjen e shpenzimit të buxhetit për vitin 2019.

Haxhiu deklaroi se ministri Hamza ka bërë vepër penale duke shkelur ligjin për financat publike. Ajo kërkoi llogari nga Hamza për vlerat e shpenzuara, që ajo i quajti në mënyrë jo ligjore.

Deputetja e VV-se pyeti ministrin e Financave se sipas cilës bazë ligjore po i vijon shpenzimet e buxhetit të shtetit në vitin 2019, meqë Kuvendi ende nuk e ka miratuar buxhetin për këtë vit.

Hamza duke u thirrur në legjislacionin në fuqi, tha se për muajin janar 2019 buxheti është dhënë në dispozicion, në bazë të ndarjeve buxhetore të ligjit numër 06L-020 për buxhetin e Kosovës për vitin 2018.

Ndërsa Haxhiu tha se vetëm Kuvendi me anë të një vendimi mund të autorizojë zgjatjen e buxhetit për tre muaj.

Haxhiu: Ju keni bërë vepër penale

“Unë do të doja që të lexoja nenin 24, paragrafi 2 i ligjit për menaxhimin e financave publike, që thotë ‘vetëm Kuvendi me anë të një vendimi mund ta autorizojë zgjatjen e ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal’. Ligji për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal në asnjë rast nuk mund të zgjatet për më shumë se 3 muaj të vitit të ardhshëm fiskal, që nënkupton deri në mars. Por, të drejtën për ta zgjatur e ka vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës, zoti ministër a e ka bërë këtë Kuvendi i Republikës së Kosovës? Pra ju jeni duke e shkelur ligjin për menaxhimin e financave publike, ju po bëni vepër penale, dhe na njoftoni sa është vlera që keni shpenzuar në mënyrë jo ligjore deri tani”, tha ajo.

Si përgjigje Hamza e quajti Haxhiun juriste të dobët, duke i thënë që mos ta bllokojë komisionin me qëllim të pamundësimit të aprovimit të buxhetit.

Hamza: Ti je juriste e dobët, të gjitha lëndët gjykata t’i ka hedhur poshtë

“Zonja Haxhiu me sa e di unë je juriste dhe me folë diçka çka të niva tash, sinqerisht është çudi, seriozisht u befasova, lexo ti sa dush ligjin, edhe unë e lexova ligjin, e nuk je ti më e mirë se shumë juristë që e kanë interpretuar e nuk është hera e parë që ndodh në Kosovë. Por unë e kam një lutje tjetër për ty zonja Haxhiu mos e blloko komisionin që me pamundësuar aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mos i dëmto qindra mijëra pensionistë që me i marrë pensionet me rritje, mos u bë destruktive dhe mos shkakto pengesa sepse ke obligim me kry punën tënde si deputete, kryeje punën. Ti je aq juriste e dobët sa të gjitha rastet që ti i ke paraqit dhe prezantuar gjykata t’i ka hedh poshtë dhe ka me t’i hedh poshtë sepse nuk ke lidhje me profesionin që ti konsideron që je një juriste”, tha ai.