Bedri Hamza: Ka buxhet për zgjedhje, po nuk e dimë a kemi kompetencë për t`i transferuar mjetet

Bedri Hamza: Ka buxhet për zgjedhje, po nuk e dimë a kemi kompetencë për t`i transferuar mjetet

Ministri në largim i Financave, Behdri Hamza, në mbledhjen e fundit të qeverisë të thirrur nga kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, tha se nuk ka buxhet për organizimin e zgjedhjeve.

Por në një prononcim për Insajderin, Hamza tha se ekziston një fond brenda Ministrisë së Financave i cili mund të përdoret për zgjedhje.

“Buxhet brenda KQZ për organizimin e zgjedhjeve nuk ka, për shkak se ky nuk ka qenë vit  zgjedhor në bazë të ligjit dhe kushtetutës. Po brenda Ministrisë së Financave është një fond, të cilën ministria ka të drejtë ligjore me transferu në cilëndo organizate buxhetore”, ka thënë Hamza për Insajderin.

Por për Hamzën është një problem tjetër që duhet sqaruar. A është ai ende ministër dhe a ka të drejtë ta transferoj atë.

“Për krejt këtë transfer ka nevojë për qartësim të situatës juridike pas dorëheqjes së kryeministrit, a jemi në dorëheqje, apo jemi ish-ministra, jemi ish-ministra atëherë është goxha problem legal se kush është ai që e nënshkruan këtë transfer do të thotë nuk është në pyetje që janë mjetet brenda ministrisë, mirëpo duhet mu qartësu situata legale duhet me u shpall zgjedhjet edhe KQZ duhet me ardh me kërkesë te ministria e financave sa fonde nevojiten dhe për çka nevojiten”, ka thënë Hamza.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë në largim, ministrat nga radhët e PDK-së, deklaruan se nuk mund të shkohet në zgjedhje. Mungesën e buxhetit e kishin gjetur si arsyetim.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj kishte kërkuar nga partnerët e koalicionit të ulen të bisedojnë dhe të marrin një vendim për shmangien e zgjedhjeve.

“Mendoj se është mirë që ta kemi një opinion ligjor se si procedohet ëprpara si qeveri e Repulikës së Kosovës me qëllim që të mos kemi shkelje ligjore mos të bimë ndesh me ligjin dhe me kushtetutën e vendit, natyrisht që për temat të cilat janë të karakterit me urgjencë nuk duhet të ketë vakum institucional, po për temat të cilat janë prioritet i qeverisë mund të vazhdohet se si është vazhduar deri më tash ky është, ky është edhe qëndrimi që e kemi edhe si partner të koalicionit”, kishte thënë Hoxhaj në qeverinë e thirrur nga Haradinaj pas kthimit nga Gjykata Speciale.

Ramush Haradinaj para dy jave ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, këtë vendim ai e kishte bërë publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Arsyeja e dorëheqjes, siç kishte thënë Haradinaj ishte sepse kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit. /Insajderi.com