Bedri Hamza: Kurti e Osmani nuk na kërkuan t’iu ndihmojmë për zgjedhjen e presidentit

Bedri Hamza: Kurti e Osmani nuk na kërkuan t’iu ndihmojmë për zgjedhjen e presidentit

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se lideri I Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Vjosa Osmani nuk iu kanë kërkuar ndihmë apo bashkëpunim për t’i përkrahur për zgjedhjen e presidentit, njofton Insajderi.

Hamza tutje është shprehur se nëse PDK-së iu ishte kërkuar që t’i përkrahnin në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata do bisedonin për këtë.

“Nuk kanë kërkuar një ndihmë apo bashkëpunim direkt apo të hapur rreth zgjedhjes së presidentit të vendit. Nuk ka qenë kërkesë e tyre që PDK-ja ti përkrahë në zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Një diçka çka s’ta kërkojnë është vështirë për me biseduar dhe me dhënë një qëndrim të caktuar”, tha Hamza.

Ai madje tha se nuk ka pasur ftesë për takim të dytë nga VV-ja dhe Vjosa Osmani.

“Nuk ka pas ftesë për një takim të dytë, dhe është diskutuar në Kryesi dhe në këshillin drejtues që PDK-ja nuk ju ka kërkuar një gjë e tillë, dhe normalisht që nuk ka votë për zgjedhjen e presidentit të vendit”, thotë Hamza në Klan Kosova.

Ai nuk bëri të ditur se a do të qëndrojnë në sallë apo jo në momentin kur të votohet presidenti, por tha se nuk e përkrahin Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

“Ne nuk e përkrahim kandidaten e propozuara, zonjën Osmani për presidente, sepse nuk është kërkuar. Nëse do të kërkonin do të ishte çështje e bisedave”, tha Hamza./Insajderi.com