Në fshatin Astrazup të Malishevës është përuruar objekti i shkollës të mesme të ulët “Ganimete Terbeshi”.
I pranishëm në përurimin e kësaj shkolle ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Limaj ka uruar nxënësit dhe arsimtarët për shkollën e re. Limaj ka thënë se plani i ministrit për të pasur mësim terëditor më se lehti mund të zbatohet në komunën e Malishevës.
“Përderisa në Prishtinë e kanë problem me numëruar ndërtimin e një shkollë, ju i keni ndërtuar 15 shkolla. Qeveria e Malishevës pa ndihmën e askujt ka arritë t’i ndërtoj 15 shkolla. Si bashkëvendës i juaji, ndihem krenar që kanë mbetur edhe 3, 4 shkolla për t’u ndërtuar dhe po krijohen kushtet që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim”, ka thënë Limaj.
Tutje, Limaj ka thënë se shpreson që investimet tjera në këtë fshat dhe komunën e Malishevës të mos ndalen. E, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se ndjehet i nderuar që gjendet këtu për të përuruar shkollën e re. Ka thënë se nuk ka më bukur kur fëmijët buzëqeshin për ndërtimin e shkollës se re.
“Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për fëmijët është edukimi i tyre. Fëmijët e këtij fshati kanë mundësinë që të edukohen në frymë evropiane. Ju uroj suksese dhe uroj që kjo shkollë të nxjerre kuadra sa më të mira. Do ta keni përkrahjen e MASHT-it”, ka thënë Bytyqi.
Ndërsa, kryetar i komunës se Malishevës, Ragip Begaj u shpreh i lumtur me përurimin e kësaj shkolle. Begaj tha se shteti ia ka pasur borxh Astrazupit ndërtimin e kësaj shkolle. “Aztrazupi është vatër e dijes. Ky fshat ka pasur nevojë më herët për këtë shkollë. Tani kushtet janë të përshtatshme për mësim. Ju uroj punë të mbarë të gjithëve. Besoj se do të dalin kuadra të mirë nga kjo shkollë. Kërkoj nga Qeveria e re ta kthej vëmendjen kah Malisheva pasi në të kaluarën kemi qenë të harruar”, ka thënë Begaj.