Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci dhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Astrit Haraqija, e kanë kaluar së bashku mbrëmjen e së hënës. Kanë darkuar në një restorant bashkë me Izet Beqirin, të akuzuarin për krim të organizuar, teksa kanë thyer ligjin.
Një darkë i ka mbledhur tre njerëz që janë ballafaquar disa herë me drejtësinë, për të thyer ligjin në një ndejë në Gjakovë.
Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe protagonisti kryesor i Dosjes së Shefave Adem Grabovci dhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Astrit Haraqija, e kanë kaluar së bashku mbrëmjen e së hënës. Kanë darkuar në një restorant, bashkë me disa njerëz të tjerë.
Por, në ndejën që u mblodhën së bashku Lushtaku, Grabovci e Haraqija është thyer një ligj. Ish-kryetari i Skenderajt dhe disa persona të tjerë në të njëjtën tavolinë me të kanë shkelur Ligjin për Duhanin, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura publike, raporton Insajderi.
Neni 11/ Pika 1 e “Ligjit për Duhanin” thotë se ndalohet pirja e duhanit në: 1.1. hapësirë publike; 1.2. hapësirë të punës; 1.3. mjetet e transportit publik; dhe 1.4. hapësirat e hapura të përcaktuara në paragrafin 3. të këtij neni.
Në një video që ka siguruar Insajderi, shihen tre ish-zyrtarët e lartë të shtetit teksa qëndrojnë në një ambient së bashku duke thyer Ligjin për Duhanin. Mësohet se Lushtaku dhe Grabovci janë ftuar nga Haraqija në darkën e së hënës.
Në darkën e tyre, i ulur mes Grabovcit dhe Lushtakut, ishte edhe i akuzuari për krim të organizuar Izet Beqiri, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të tregtisë me viza që ishte udhëhequr nga Ukë Rugova.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, Izet Beqiri akuzohet për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë. Kjo pasi që sipas aktakuzës, i njëjti kishte kryer disa aktivitete kriminale përkitazi me marrjen e vizave schengen në ambasadën Italiane.
Edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija është i akuzuar për krim të organizuar, në të njëjtin rast me Beqirin.
Ndërkaq, Adem Grabovci është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit për “shpërdorim të detyrës dhe ndikim mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike”.
Grabovci ishte protagonisti kryesor i serisë së përgjimeve Dosja e Shefave, e cila dëshmonte ndikimin që shtrihej mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura, mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës dhe mbi media.
Në serinë e 14-të të përgjimeve Dosja e Shefave, kishin qenë protagonistë edhe Grabovci e Lushtaku. Ata kishin biseduar me qëllim për t’ia bërë një vend të mirë në institucione shtetërore paraardhësit të tij, Ramadan Gashit.
Lushtaku, në koordinim me Adem Grabovcin, kishin zgjedhur një pozitë të lartë në Agjencinë për Akreditim të Arsimit të Lartë për ta rehatuar Gashin.
Një muaj pas publikimit të përgjimeve, prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Adem Grabovcit, dhe që nga ajo kohë ai është larguar nga strukturat e larta të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ndërkaq, Lushtaku nuk ka kandiduar në Zgjedhjet Lokale të vitit të kaluar, pasi kishte shërbyer për dy mandate si kryetar i Skenderajt. /Insajderi.com