Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i legjislaturës së tetë në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur këshilltari i tij, Naim Murseli, i cili ka njoftuar se Pacolli është njëri ndër më të votuarit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Me një rritje të votave nga zgjedhjet e fundit, dhe nga kandidatët më të votuar të listës së LDK-së, Behgjet Pacolli është gati për mandatin e tij të radhës si deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së”, ka shkruar Murseli në Facebook.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, AKR-ja ka garuar në listë të përbashkët me LDK-në.
Por, të dyja këto parti kanë shënuar humbje të thellë, duke arritur të fitojnë vetëm 15 mandate në Kuvendin e Kosovës.
Krahasuar me zgjedhjet e kaluara të vitit 2019, LDK-ja në këto zgjedhje parlamentare ka pësuar 46 për qind humbje të votave./Insajderi.com