Bekim Haxhiu demanton Xhakën: Lojtarët e Zvicrës gënjejnë

Bekim Haxhiu demanton Xhakën: Lojtarët e Zvicrës gënjejnë

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së babait të Granit Xhakës, Ragip Xhaka, i cili tha se aktivizimi i djalit të tij me Kosovën ishte i pamundur për shkak se mungonte leja e FIFA-s.

“Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që Xhaka, Shaqiri, Behrami, Tarashaj e të tjerët të vijnë e të luajnë për Kosovën. Por ata nuk duan. Nuk është mirë të na shesin moral, sepse nuk dua të vijmë në një situatë kur do t’i publikonim edhe mesazhet”, tha Haxhiu për Express.

Ai gjithashtu zbuloi se para 1 viti ka marrë premtim nga Ragip Xhaka se djali i tij do të luante për Kosovën, një premtim që nuk u mbajt.

“Para një viti jam takuar dhe personalisht Ragip Xhaka më ka thënë se të paktën Graniti do të luaj për Kosovën. Ka pasur edhe dy takime të tjera me kryetarin Vokrri dhe përzgjedhësin Bunjaki. Nëse nuk duan të luajnë mos të trazojnë opinionin”, shtoi Haxhiu.

Në fund të deklaratës së tij, nënkryetari i FFK-së sqaroi njëherë e mirë lajmet se disa prej lojtarëve të Zvicrës iu është mohuar leja e FIFA-s për të luajtur me Kosovën.

“Xherdani, Graniti, Valoni e të tjerët kanë status të njëjtë sikurse Ujkani, Meha e Rashica dhe gëzojnë të drejtën të vijnë dhe të luajnë për Kosovën, iu duhet vetëm dëshira”, tha ai, njofton Insajderi.

Kosova do të luajë ndeshjen e parë miqësore të hënën e 5 shtatorit, ndërsa lista e plotë e futbollistëve të grumbulluar për këtë ndeshje do të publikohet nesër nga trajneri i përfaqësueses Albert Bunjaku. /Insajderi.com