Bekim Haxhiu pas fitores së Nurës në Skënderaj: Fitoi lakmia

Bekim Haxhiu pas fitores së Nurës në Skënderaj: Fitoi lakmia

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ishte edhe ndër përkrahësit më të mëdhenj publikë për Bekim Jasharin – kandidatin e pavarur për të fituar zgjedhjet lokale në Skënderaj, ka reaguar pas rezultateve preliminare ku fitoi Fadil Nura nga PDK, njofton Insajderi.com.

Haxhiu thotë se me këtë rezultat fitoi lakmia.

Siç thotë ai me anë të një postimi në Facebook, të pikëlluar e me kokën ulur duhet të jenë ata “ata që ia humbën Skënderajt mundësinë e artë me Bekim Jasharin në realizimin e projekteve për zhvillim dhe ndërtim të Drenicës.”

Tutje, Haxhiu ka thënë se pa Jasharajt nuk do të kishte as Ushtri Çlirimtare e Kosovës, as pavarësi, as demokraci e as parti.

“Jasharajt e ndrruan historinë. Ata janë vet historia moderne. Ata na e mundësuan edhe 17 tetorin 2021. Pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as Liri, as Pavarësi as demokraci as parti”, ka shkruar Haxhiu.

“Ju jeni themeli i pavarësisë e nderi i shqiptarisë. Në Skënderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia! Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica”, shtoi ai.

Fadil Nura nga PDK ka arritur të fitojë këtë komunë pa balotazh me 57.99 për qind apo gjithsej 12 mijë e 586 vota, duke lënë kryetarin e deritanishëm, Bekim Jasharin, të dytin në listë me 40.64 për qind të votave. /Insajderi.com