Bekim Jashari s’beson se do të ndryshohet Ligji për Specialen

Bekim Jashari s’beson se do të ndryshohet Ligji për Specialen

Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekim Jashari e përkrah nismën e organizatave të dala nga lufta për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk beson që një gjë e tillë do të ecë përpara në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Në një intervistë për KosovaPress, ai flet për këtë kërkesë që ditë më parë i është drejtuar deputetëve të legjislativit dhe për ftesën që Specialja i ka bërë presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Kryetari i Komunës së Skenderajt kërkon unitet nga të gjitha partitë politike sa i përket temave nacionale, pasi sipas tij, është koha e fundit për t’u bërë bashkë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi.

Jashari nuk beson që deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta çojnë përpara nismën për ndryshim të Ligjit të Speciales dhe shton që dëshirë e tij është që nisma të gjejë përkrahje meqë sipas tij duhet të gjykojnë të gjithë akterët.

Jashari: E përkrah nismën për ndryshim të projektligjit për Gjykatën Speciale (Video)

“Shpresat janë të vogla duke i parë situatën aktuale që mund të ecë përpara e të ketë ndryshime. Dëshira ime është që të ketë përkrahje dhe të ecë ideja për ndryshimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale. Edhe në fillim kam qenë kritik i kësaj gjykate, jo pse Gjykata Speciale duhet të merret me krimet në Kosovë, por pse vetëm me shqiptarët, pse vetëm me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pse jo me të gjithë akterët pavarësisht etnisë, me të gjithë ata që ka dëshmi se kanë kryer krime…A po duam të pastrojmë një gjë të tillë, atëherë duhet të përfshihen të gjithë akterët dhe jo të bëjmë ndasi”.

Jashari ka kritikuar ata që sipas tij i janë gëzuar faktit që presidenti Hashim Thaçi apo kryetari i PDK-së Kadri Veseli kanë marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Ai thotë se lufta për liri ka qenë kauzë e përbashkët, andaj nevojitet unitet lidhur me këtë çështje edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës.

Jashari: Lufta për liri ishte kauzë e përbashkët, edhe sot duhet të jemi të bashkuar

“Ne nuk guxojmë të japim deklarata të tilla e aq më shumë të bëjmë veprime të ngjashme për inate personale, për t’iu gëzuar pse e thirrën Bekimin Gjykata Speciale. Bekimi mund të bëhet njeriu më i keq në këta 20 vjetët e pasluftës, nga qershori ‘99 deri më sot, por ‘92 deri qershor ‘99 ka qenë kauzë e përbashkët për çlirimin e vendit, liri a vdekje, i madh e i vogël kush çka ka mund të bëjë”, tha Jashari.

Ai thotë se për çështje nacionale siç është Gjykata Speciale apo dialogu me Serbinë, politikanët kosovarë duhet të jenë unikë.

Jashari: Kosovës i duhet unitet për Specialen dhe dialog

“Duhet të bëhemi prapë bashkë me përkrah njëri-tjetrin për t’u zbardhur e vërteta dhe jo të gëzohen pse Gjykata Speciale e thirr Bekimin. Sot e ka thirr Bekimin, nesër mund të të thërrasin ty, X persona që po i dëgjoj në opinion me deklarata të tilla. Kemi nevojë që në tema nacionale siç është Gjykata Speciale, dialogu me Serbinë duhet të jetë faktori politik i bashkuar si grusht, pozitë e opozitë, nëse duam të zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemet që kemi qe 21 vjet pasluftës, por nëse duam t’ua lëmë fëmijëve tonë, atëherë vazhdojmë kështu t’ua lëmë këto telashe. Ne e kemi mundësinë sot, dhe shpresoj se nuk do të tolerojë bashkësia ndërkombëtare e aq më shumë shtete mike që i kemi në BE e sidomos SHBA, pra nuk besoj se do të na tolerojnë të bëjmë shaka me bashkësinë ndërkombëtare sot, po dua kështu e nesër jo. Këto janë procese që duhet të marrin fund, sepse edhe ata janë lodhur me ne”, tha Jashari.

Sipas Jasharit, ftesa e Speciales për presidentin Thaçi, do të ndikojë në çështjen e Kosovës me Serbinë sa i përket tavolinës së bisedimeve.

Jashari: Ftesa e Thaçit nga Specialja ndikon në dialogun Kosovë-Serbi

“Besoj që po, sepse është i zoti i shtëpisë dhe është personi që ka qenë nga fillimi në këto bisedime. Sidoqoftë, nëse jemi të bashkuar, nëse një moment mungon Bekimi, janë të tjerët, nëse ne rrimë të gjithë, unë s’e kam obligim, nuk jam në atë pozitë, le të bëjë Bekimi çka të dojë. Bekimi mungon, e normal që shtëpia dëmtohet nëse nuk interesohen të gjithë”, tha Jashari.

Ditë më parë, organizatat e dala nga lufta kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas tyre, Specialja duhet të merret edhe me Serbinë dhe krimet e kryera nga serbët në Kosovë./Insajderi.com