Profesori amerikan, Alon Ben-Meir, thotë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta pranojë vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave lidhur me kandidimin e tij në zgjedhjet e 14-shkurtit, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Ben-Meir thotë se Kurti duhet të jetë i menqur dhe të pranojë këtë vendim, e jo ta bllokojë të gjithë sistemin vetëm se ai nuk mund të kandidojë.
Ai tutje është shprehur se Kosova duhet të formojë qeverinë e re, pasi ka shumë për të bërë e shumë pak kohë për të humbur.
“Ndjekja e sundimit të ligjit është me rëndësi kritike për të forcuar demokracinë; Kurti duhet të jetë i menqur ta pranojë këtë vendim, të përpiqet të pastrojë të dhënat e tij përpara se të provojë të bllokojë gjithë sistemin vetëm pse, në këtë situatë, nuk mund të kandidojë. Kosova duhet të ecë përpara dhe të formojë një qeveri të re, pasi ka shumë për të bërë dhe pak kohë për të humbur”. Ka shkruar Ben-Meir.
KQZ dhe PZAP nuk e kanë certifikuar në listën zgjedhore të VV-së, kreun e kësaj partie, Albin Kurtin dhe katër kandidatë të tjerë të kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit pasi të njëjtit janë të dënuar për vepra penale në së paku 3 vitet e fundit, shkruan lajmi.net.
Kjo ndodhi pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit ku gjithashtu u specifikua se në zgjedhje nuk mund të kandidojnë persona që kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.
Ndryshe, pas vendimit të KQZ-së dhe PZAP-së, Vetëvendosje do t’i drejtohet me ankesë edhe Gjykatës Supreme për interpretim të këtyre vendimeve. /Insajderi.com