E ashtuquajtura zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i ka cilësuar si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se mund të ketë një konflikt nëse përpjekjet për paqe me Kosovën dështojnë, transmeton Insajderi.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mesazhi kryesor i Vuçiqit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.
“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, tha Petkoviq.
“Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petkoviq, raporton REL.
Vuçiq gjatë ditës së sotme deklaroi se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë”, tha në anën tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës, duke shtuar se “krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”. /Insajderi.com