“Berisha nuk ka bazë juridike të ngris padi ndaj Blinken”

“Berisha nuk ka bazë juridike të ngris padi ndaj Blinken”

Sali Berisha nuk ka bazë juridike për parashtrimin e padisë ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen e ish-kryeministrit shqiptar dhe familjes së tij persona “non-grata” për hyrje në SHBA.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, avokati i njohur kosovar, Artan Qerkini, i cili renditë arsyet pse një padi e paralajmëruar nga Berisha nuk do të mund të ngrihet.

“Sekretari Blinken vetëm e ka komunikuar një vendim të Qeverisë Amerikane dhe se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një vendim të tij, si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit gëzon imunitet funksional që do të thotë se ai nuk mbanë përgjegjësi juridike për veprimet e tija në kapacitetin e Sekretarit të Shtetit”, thotë Qerkini, duke shtuar se Blinken është deklaruar në emër të Qeverisë Amerikane dhe jo në kapacitet personal, “fakt ky që e pamundëson z.Berisha të parashtrojë padi për shpifje”, shprehet Qerkini.

Vendimi amerikan për shpalljen “non-grata” ndaj Sali Berishës bashkë me familjen, po konsiderohet si lajm tronditës në Shqipëri.

Analisti shqiptar, Lutfi Dervishi, thotë se kjo këmbanë nuk bie vetëm për ish-kreun e Qeverisë shqiptare, Sali Berisha.

“Deklarata është në të njëjtën kohë një zile zgjimi për çdo zyrtar dh eish-zyrtar shqiptar se shkelja e ligjit dhe abuzimi me pushtetin edhe nëse tolerohet nga drejtësia vendore, nuk harrohet dhe anashkalohet nga SHBA-të”, thotë Dervishi për Insajderin.

I pyetur se çfarë nënkupton për të ardhmen e Partisë Demokratike një vendim i tillë i DASH, Dervishi tha se roli, vendi dhe hapësira e Sali Berishës në PD nuk është më dhe nuk do të jetë ajo që ka qenë deri më tani.

Ai më tej tha se ka me dhjetëra raste kur zyrtarët – duke përfshirë edhe njerëz të drejtësisë – i është refuzuar apo revokuar viza për në SHBA, por që nuk janë bërë publike këto raste për shkak të politikave të zyrave konsullore, ndërsa rastet e bëra publike si kjo e fundit me Berishën, kanë ndodhur vetëm katër herë deri më tani.

“Rastet e bëra publike nga sekretari i shtetit janë vetëm katër dhe për një periudhë kohe, ndoshta një vit nuk do të kemi zyrtarë apo ish zyrtarë që futen në këtë kategori”, ka thënë ai.

Në tetor të vitit 2019, Amerika kishte shpallur persona të padëshiruar 14 zyrtarë shqiptarë, ndër të cilët ishin edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe deputeti Tomi Doshi. /Insajderi.com