Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka treguar tri arsyet, për të cilat beson se mund të jenë shkaqet e vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shpalljen persona “non-grata”ndaj tij dhe familjes.
Berisha beson se një ndër to është edhe qëndrimi që ai ka mbajtur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“A mund të më thuash kush e ka bërë projektin e ndarjes së kufijve të Kosovës? A e ka bërë “Fondacioni i hapur”? A mund të më thuash kush e bëri projektin e Reformës në Drejtësi?”, ka thënë ai në ‘Opinion’ të Klan Tv.
“Qëndrimet që unë kam mbajtur nuk janë pëlqyer. Qoftë për ndryshimin e kufijve, qoftë për Sorosin, qoftë për denoncimet e veprimeve antikushtetuese me Reformën në Drejtësi”, tha më tej Berisha.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se SHBA e ka shpallur person të padëshiruar ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij, për shkak të aferave korruptive të raportuara nga DASH. /Insajderi.com