Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, arriti të hënën në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb, raporton REL.
Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.
Kjo është vizita e parë e Bërnabiç-it në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.
Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe.
Policia e Kosovës në njoftim ka bërë të ditur se, gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike./Shqip.com