Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të formohet ashtu siç është rënë dakord dhe jo si Organizatë joqeveritare, transmeton Insajderi.
Kështu është deklaruar në një intervistë për TV Pink, njofton agjecia e lajmeve ‘Tanjug.rs’, duke shtuar tutje se “Serbia ka zbatuar gjithçka që është rënë dakord në Bruksel, dhe se AKS është një detyrim i Prishtinës që duhet të formohet.
Ajo tutje shtoi se çështja e Kosovës dhe marrëdhëniet me të mbeten një nga sfidat më të mëdha për çështjen e sigurisë së vendit që përfaqëson.
Ndryshe, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa zhvilloi një vizitë në Kosovë e Serbi, në këtë të fundit tha se nëse është e nevojshme Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj, sa i përket formimit të Asociacionit.
Kjo deklaratë e tij ka ngjallur shumë reagime nga spektri politik në vend, nga të cilët thuhet se ky Asociacioni do të themelohet vetëm sipas Kushtetutës. /Insajderi.com