Bërnabiq: Humbasim shumë nëse biem në provokimet e Prishtinës

Bërnabiq: Humbasim shumë nëse biem në provokimet e Prishtinës

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, deklaroi të enjten mbrëma se “Serbia ka arritur shumë në periudhën e mëparshme dhe kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të biem pre e provokimeve të Prishtinës”,

Por, u bëri thirrje të gjithë partnerëve që të reagojnë në mënyrë që “të ruhet paqja”, shkruan Tanjug, transmeton Shqip.com.

“Ne kemi aq shumë për të humbur dhe kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të biem pre e provokimeve, por duhet t’u japim një mesazh të qartë të gjithë partnerëve tanë, pavarësisht se sa shumë ata nuk pajtohen në çështjen e Kosovës, se paqja dhe stabiliteti është i rëndësishëm dhe të reagojnë me kohë”, tha Bërnabiq.

Ndryshe, të hënën e 20 qershorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Lidhur me këtë, banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës si shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që nga e hëna deri më tash.

Për të monitoruar situatën, Njësia Speciale e Kosovës është duke qëndruar që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit me targat në pikat kufitare.

Asnjë incident nuk është raportuar deri më tash, por që ka pasur reagime nga krerët institucionalë të dy shteteve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nëse targat largohen, këtë duhet ta bëjnë të dy shtetet./Shqip.com