Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka falënderuar popullatën serbe në Kosovë, duke thënë se ka ruajtur seriozitetin, e ka treguar dinjitet e maturi, edhe pse po jetojnë në një atmosferë të provokimeve të vazhdueshme, njofton Insajderi.
Ajo ka folur për televizionin serb “TV Pink”, një ditë pasi vizita në veri e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte përcjellë reagime e protesta të serbëve lokalë.
“Përpjekjet po vijnë vazhdimisht nga Prishtina për të mbledhur probleme politike, në vend se të shihen mënyra se si të ndihmohen njerëzit që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Unë sërish do të përsërisë një nga fjalitë më të qarta të presidentit Aleksandar Vuçiq, që është: ‘Njerëz, ne nuk dërguam armë e tanke atje, por vaksina dhe ilaçe. Nëse shkatërroni dhe kapni ilaçet, çfarë reagimi prisni?’ Beogradi do të vazhdojë dhe gjithmonë do të mbajë hapësirën e hapur për bashkëpunim. Po ju kujtoj, se kur mbaruan testet, ne u dërguam atyre 1000 teste dhe nuk folëm për këtë, por ai doli si lajm nga ministria e Shëndetësisë e të ashtuquajturës Kosovë. Tash jemi të gatshëm të ndihmojmë shqiptarët me vaksina, siç do të ndihmojmë Maqedoninë”, ka thënë Bërnabiq.
E Igor Simiq nga Lista Serbe ka falënderuar kryeministren Bërnabiq dhe presidentin Vuçiq, që thotë se po luftojnë për qytetarët serbë në Kosovë, ndërsa ka folur për vaksinimin e serbëve të Kosovës kundër koronavirusit. Ai ka folur edhe për vizitën e Osmanit e Kurtit në veri.
“Dje kemi parë tentimin e Osmanit dhe Kurtit për të demonstruar forcë dhe për të frikësuar serbët. Sidoqoftë, reagimi i serbëve ishte në një nivel të lartë dhe ata dërguan një mesazh se njerëzit që duan të prishin paqen nuk janë të mirëpritur. Kurti paralajmëron Shqipërinë e Madhe, e vjen në veri, prandaj nuk pritej një reagim i tillë”, ka thënë Simiq./Insajderi.com