Bërnabiq i përgjigjet Thaçit për Luginën

Bërnabiq i përgjigjet Thaçit për Luginën

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq i ka porositur përfaqësuesit e pushtetit të Kosovës “të heqin dorë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”, dhe ka theksuar se duhet të bisedohet për atë se “a mund të arrijmë deri te kompromisi i cili do ta siguronte normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”.

Me këtë Bërnabiq është përpjekur të përgjigjet në pretendimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se ka marrë përkrahjen e presidentit të Francës Emmanuel Macron që Prishtina dhe Beogradi sa më parë të arrijnë marrëveshjen detyruese, me mundësi reale të korrigjimit të kufirit që nënkupton bashkimin e Preshevës, Medvegjës  dhe Bujanocit me Kosovën.

Siç ka thënë ajo, “me këtë del si e vërtetë ajo çfarë ka folur për autoritetet kosovare: se nuk kanë dikë në anën tjetër të tryezës me të cilin do të mund të bisedohet”.

“Ju lutem të hiqni dorë nga Serbia qendrore dhe të flasim për atë se a mund të gjejmë një kompromis i cili do të sigurojë harmonizimin afatgjatë të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se vlerat kryesore të Serbisë janë liria dhe paqja, dhe se “ata do të mundohen ta ruajnë paqen çfarëdo që të ndodhë, por se nuk duhet të flitet më tutje për territorin e Serbisë qendrore”./Insajderi.com.