Besimtarët katolikë sot festojnë Ditën e Pashkëve, njofton Insajderi.
Në këtë ditë Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti, shpresën për të gjithë besimtarët.
Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, gjatë mbrëmjes së djeshme është mabjtur ceremonia e Meshës Solemne të Pashkëve, e drejtuar nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergjaj.
Gjatë Meshës, në urimin e tij, imzot Gjergji, rikujtoi se pashkët janë një festë e veçantë në botën e krishtere, ditë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpresës, ditë e ringjalljes së jetës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë përjetësisë.
Për nder të kësaj feste sot në Kosovë në ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Në ora 17:00 do të mbahet në gjuhën angleze Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza, Prishtinë. Dhe në orën 18:00 mbahet Mesha në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë.
Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik i Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në Kryq.
Derisa po kremtohet kjo ditë, edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për Pashkë.
Përmes një postimi në Facebook, BE-ja në Kosovë ka uruar që kjo ditë të sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë
“Bashkimi Evropian në Kosovë uron gëzuar Pashkët për të gjitha komunitetet e krishtere që i festojnë sot në Kosovë dhe përtej. Urojmë që kjo ditë speciale të sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë”, ka shkruar Zyra e BE-së në Kosovë. /Insajderi.com