Beteja Thaçi-Osmani

Përplasjet e kundërshtimet në mes tyre kanë qenë të shpeshta, por fillimin e dukshëm e morën gjatë vitit 2014 ku Osmani nuk e votoi Isa Mustafën për kryeministër pasi kundërshtoi ashpër koalicionin me PDK-në që atëherë kishte kryetar, Hashim Thaçin.

Beteja Thaçi-Osmani

Presidenti, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani ishin bashkë në delegasione të Kosovës ku Osmani përkthente për Thaçin në takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raporti i tyre kolegial ndryshoi në një raport që shpesh herë mori përmasa agresive në deklarata të ndërsjellta.

Ishte viti 2014 kur Vjosa Osmani nuk e votoi Qeverinë Mustafa pasi kundërshtoi një koalicion të LDK-së me PDK-në pas zgjedhjeve të Qershorit të vitit 2014, kur PDK-ja doli e para, por subjektet tjera politike kishin krijuar një bllok i quajtur VLAN që synonin përmes shumicës parlamentare ta merrnin drejtimin e Qeverisë.

Pos koalicionit që Osmani e kundërshtoi me zë të lartë, ajo nuk e votoi as Thaçin për president në viitn 2016, ishte pjesë e marrëveshjes PDK-LDK që Thaçi të jetë president i vendit. Këto kundërshtime sollën një luftë të brendshme në mes Vjosa Osmanit dhe figurave kyqe në LDK.

Por, kundërshtimi i Osmanit ndaj Thaçit ka vazhduar. Mbrëmë Osmani e ka quajtur presidentin Thaçi “faqja e zezë” dhe ka thënë që LDK duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës që votoi për president këtë njeri. Ky postim i Osmanit në Facebook erdhi pas një paraqitje televizive të presidentit Thaçi ku tha se një familjar i Osmanit i ka “shërbyer” Serbisë.

Raportet Thaçi-Osmani kanë qenë kritike, sidomos tash kur Osmani ka deklaruar se ka përafërime qëndrimesh me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. /Insajderi/