Përderisa Berisha pret ndikimin e BE-së për të ndalë lobimin e Serbisë, një gjë të tillë nuk e pret kabineti i ministrit të Jashtëm (në dorëheqje), Behgjet Pacolli. Nga zyra e Pacollit, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj thotë se Serbia me veprimet e saj, siç është pengimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, është duke e dëmtuar në masë të madhe sigurinë, jo vetëm rajonale, por edhe atë globale.

“Personalisht nuk pres asnjë veprim të BE-së në raport me Serbinë dhe kjo është zhgënjyese, jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thekson Zyberaj.

Ai thotë se qasja e Bashkimit Evropian dhe mekanizmave ndërkombëtar, kur vjen në shprehje sjellja e Serbisë në raport me Kosovën “është jashtëzakonisht e padrejtë”.

“Serbia po tolerohet në secilin rrafsh. Serbia tolerohet kur bën ushtrime apo manovra ushtarake Rusinë dhe vendet që e rrezikojnë sigurinë nacionale dhe evropiane. Serbia po ashtu tolerohet edhe kur i promovon kriminelët e luftës”, tha Zyberaj.

Por, pavarësisht sfidave, Zyberaj thotë se Kosova edhe në këto rrethana, kur qeveria është në dorëheqje, do t’i vazhdojë përpjekjet për sigurimin e mbështetjes së vendeve anëtare për anëtarësim.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është pjesë e agjendës së kësaj organizate dhe është bërë pjesë e agjendës në muajin e kaluar dhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme do të hidhet në votim kërkesa e Kosovës për anëtarësim”, tha Zyberaj.

Ndërkohë, Plator Avdiu, mendon se sivjet gjasat e Kosovës janë edhe më të vogla që të merr mbështetjen dhe votat e nevojshme për anëtarësim.

“Sigurisht që në MPJ thonë se janë të përgatitur, por sipas informatave që kam është se numri i shteteve që do të votojnë sivjet mund të jetë më i vogël se sa në vitin e kaluar. Thjesht nuk mund te ecësh përpara pa e përmirësuar ata që është bërë vitin e kaluar. Vitin e kaluar ka ndodhur një dështim tepër i madh”, tha Avdiu.

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili.

INTERPOL-i është organizata më e madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor. Në bazë të përshkrimit të detyrave, qëllimi i INTERPOL-it është të ofrojë mbështetje sa më të madhe për institucionet policore të vendeve që janë anëtare në pajtim me ligjet e vendeve përkatëse dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Ky mekanizëm ka për synim zhvillimin e institucioneve për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efikase veprat penale të shkaktuara nga shkelësit e ligjit.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.