
Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një telefonatë me liderët evropianë për të diskutuar mbi luftën e vazhdueshme në Ukrainë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Ai ka biseduar në telefon me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, si dhe Kryeministrin italian Mario Draghi, Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, raporton BBC.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit “diskutuan shqetësimet e tyre serioze në lidhje me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë sulmet e saj ndaj civilëve”.
Biden ka planifikuar të udhëtojë në Evropë gjatë kësaj jave për takime me NATO-n, BE-në dhe aleatët e G7-ës në Bruksel, e ndjekur nga një takim dypalësh me presidentin polak Andrzej Duda në Varshavë të premten. /Insajderi