Biden dhe udhëheqësit evropianë diskutojnë mbështetjen për Ukrainën

Biden dhe udhëheqësit evropianë diskutojnë mbështetjen për Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një telefonatë me liderët evropianë për të diskutuar mbi luftën e vazhdueshme në Ukrainë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Ai ka biseduar në telefon me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, si dhe Kryeministrin italian Mario Draghi, Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, raporton BBC.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit “diskutuan shqetësimet e tyre serioze në lidhje me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë sulmet e saj ndaj civilëve”.

“Ata theksuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duke përfshirë dhënien e ndihmës për sigurinë ukrainasve të guximshëm që po mbrojnë vendin e tyre nga agresioni rus, dhe ndihmën humanitare për miliona ukrainas që kanë ikur nga dhuna”, thuhet në deklaratë.

Biden ka planifikuar të udhëtojë në Evropë gjatë kësaj jave për takime me NATO-n, BE-në dhe aleatët e G7-ës në Bruksel, e ndjekur nga një takim dypalësh me presidentin polak Andrzej Duda në Varshavë të premten. /Insajderi