Bie çmimi i naftës në botë, por jo edhe në Kosovë

Bie çmimi i naftës në botë, por jo edhe në Kosovë

Tash e sa muaj në Kosovë është rritur ndjeshëm çmimi i naftës dhe qytetarët po e konsiderojnë të papërballueshme për të paguar në nga 1.20 deri në 1.26 e 27 cent për një litër naftë.

Javën e kaluar, në medie është raportuar se do të ketë ulje të çmimit të naftës nga dita e hënë, mirëpo kjo nuk ndodhi, çmimet mbetën të njëjtat, shkruan lajmi.net.

Rritja e naftës nuk e ka përfshirë vetëm vendin tonë, por kjo rritje ka ndodhur në nivel rajonal e global, por siç është raportuar në media çmimi ka rënë në nivel ndërkombëtar.

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është kontaktuar nga lajmi.net për ta pyetur në lidhje me çmimin dhe ai është shprehur se çmimi diktohet nga BERZA dhe organizata prodhuese OPEC.

“Sa i përket çmimit të derivateve në nivel ndërkombëtar ka rënie, çmimin e dikton BERZA dhe organizata prodhuese OPEC, ku për momentin kjo organizatë ka prodhim më të lartë dhe kjo e ka ulur edhe çmimin në tregjet ndërkombëtare edhe në Kosovë e regjion”, tha Berjani.

Ai është shprehur se konsumatorët në Kosovë dhe kompanitë kosovare janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion.

“Konsumatorët dhe kompanitë kosovare janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion. Çmimi i naftës në Kosovë është më i lirë se në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni”, u shpreh Berjani për lajmi.net.

I pyetur në lidhje me çmimin e naftës dhe luhatjen e çmimit tha se dy javët e fundit çmimi ka qenë stabil, kemi pasur një rënie të lehtë por prapë ka rritje.

“Gjatë kësaj periudhe dy javore ka qenë çmimi më stabil. Kemi një rënie të lehtë të çmimit, por prapë ka rritje. Prapë, qytetarët e Kosovës, janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion”, përfundoi Berjani.

Por, ndryshe nga Berjani, mendon Selatin Kaçaniku nga Organizata Konsumatori, ai shprehet se kur çmimi i naftës ngritët në BERZA-në botërore, ngritët edhe në Kosovë, por kur bie në BERZA-në botërore, në Kosovë nuk bie fare.

“Sa herë që çmimi i naftës ngritët në BERZA-në botërore ngritët edhe në Kosovë, pa marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për stoqet e vjetra të derivateve të naftës, të importuara me çmim më të lirë. E kundërta, kur kemi zbritje të çmimit të derivateve në BERZA-në ndërkombëtare, tek ne vazhdon të na ofrohen derivatet me çmime të larta”, tha Kaçaniku për lajmi.net

Ai është shprehur se sa herë që kanë kërkuar përgjigje tek kompetentët, përgjigja e tyre ka qenë se tregu është rregullatori i çmimeve.

Ndërsa Kaçaniku thotë se “po të ishte kjo e drejtë, po të ishte e vërtetë, pot ë kishim treg e ekonomi të lirë, ato do t’i rregullonin këto raporte. Pra, mosrregullimi i çmimeve të derivateve të naftës, aktualisht edhe i çmimeve nga shporta elementare pas aplikimit të taksës mbi produktet serbe dhe boshnjake, dëshmojnë poashtu se Kosova nuk ka treg vendor e as ekonomi të lirë.”

I pyetur nëse cilësia e derivateve është e arsyeton çmimin ai është shprehur se nafta nuk i përmbushë disa komponente të parapara me standard.

“Kontrolla e më pak se 1 për qind e sasisë së importuar e të ndodhur në treg, futja “në lojë” e doganës si kontroll me kapacitetet laboratorike gjysmake, angazhimi i autoriteteve të konformitetit me konflikt interesi, importi i naftës së kriminalizuar e kanceroz nga Serbia, importi i naftës ruse nën embargo – janë dëshmi të mjaftueshme që konfirmon dyshimin tone se derivatet e naftës kundërmojnë rrjet mafioz politiko-biznesor-institucional”, është shprehur Kaçaniku për lajmi.net.

I pyetur për luhatjet e çmimeve, Kaçaniku ka theksuar se luhatjet e tilla janë në favor të tregtuesve me derivatet e naftës dhe gjithmonë janë në dëm të qytetarit.

Ai poashtu ka theksuar se konsumatori i derivateve, i kontribuon arkës së shtetit me afër 20 për qind të buxhetit ose mbi 300 milionë euro.

“Ju kujtohet: Kur rimbursoheshin kuponat fiskalë nga derivatet e naftës nuk përfitonin asnjë cent konsumatorët e derivateve të naftës”, ka përfunduar Kaçaniku.