Bie nga 40 metra lartësi, vdes 35-vjeçari në Han të Elezit

Ka vdekur një punëtor i një kompanie të çimentos në Han të Elezit të hënën, pasi ka rënë nga një lartësi prej 40 metrash mbi tokë.

Viktima është 35-vjeçar dhe është shtetas i Shqipërisë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

“Rreth orës 10:45  policia është njoftuar për një rast një punëtor i cili ka qenë duke i kryer disa punë në fabrikën e çimentos në Han të Elezit, në rrethana ende të panjohura ka rënë në brendësi të sillosit, nga lartësia 40 metra”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Gashi ka theksuar se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.