Bie për 26 për qind numri i nxënësve në shkollat e vendit

Bie për 26 për qind numri i nxënësve në shkollat e vendit

Numri i nxënësve në shkollat e vendit, në vitin shkollor 2019-2020, ka shënuar rënië për 26 për qind krahasuar me vitin shkollor 2008-2009, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Instituti GAP, i cili ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “A kemi shkolla të tepërta? Nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”

“Nga 444 mijë nxënës sa kanë qenë në vitin 2009-2010 në vitin 2020 numri ka shkuar në 330 mijë apo 26%, çka do thotë se ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa personeli arsimor është rritur për 2%”, tha Bekim Salihu, hulumtues në GAP.

Salihu ka folur edhe për vendimin e Komunës së Kamenicës për mbylljen e disa shkollave fillore, që sipas tij për herë te parë ka ngjallur debat në publik.

“Komuna e Kamenicës për vendimin e mbylljes së disa shkollave ka ngritur shqetësim të madh duke krijuar kështu debat, efekti se a do duhet të ketë ristrukturim të shkollave dhe se kush duhet ta bëjë këtë ristrukturim të shkollave. Tek udhëzimi administrativ i shuarjes së një institucioni parauniversitar është kur nuk ka nxënës mjaftueshëm atëherë mund të shuhet ai institucion, por që nuk e cek se kush duhet ta bëjë këtë shuarje”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Shqipe Bruçi nga ministria e Arsimit tha se komuna e Kamenicës nuk është e vetmja që ka bërë mbylljen e shkollave.

“Të dhënat që u paraqitën janë reale dhe nuk janë të dhëna që ne nuk i kemi pasur, pra i disponojmë të dhënat për secilën shkollë. Në komuna të caktuara kemi rënie. Nuk është hera e parë dhe komuna e vetme që ka bërë mbylljen e shkollave, 332 paralelet e ndara ndërsa tash kemi 309. Sa i përket stafit është problem që me bë zvogëlimin e stafit”, pohoi ajo.

Ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, uroi që shumë shpejt të përfundojë dialogu me Serbinë, duke shtuar se po humb fokusi për temat e tjera.

“Uroj ta kryejmë dialogun me Serbinë dhe të fokusohemi pak më shumë tek çështja e arsimit që nuk po i kushtohet rëndësi sa duhet. Sa i përket kësaj fushe ka problematika të shumta, sidomos me vendimin e kësaj komune që të mbyllen disa shkolla si pasojë e numrit të vogël të nxënësve”, tha ai.

“…Fokusi është sidomos me ndryshimin e zvogëlimit të numrit të nxënësve ku pagat shkojnë te mësimdhënës më shumë çka do thotë se ka zvogëlim të buxhetit dhe ka ndikuar këtu”, shtoi Kastrati./Insajderi.com