Numri i kosovarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia gjatë vitit që lamë pas ka rënë për 30 për qind.
Ndryshe nga viti 2019, kur nga shtetësia e Republikës së Kosovës hoqën dorë mbi 5 mijë e 350 persona, numri i qytetarëve që u liruan nga shtetësia kosovare gjatë vitit 2020, kur shtetet gjithandej globit u izoluan si pasojë e pandemisë, ka shënuar rënie.
Kjo rënie është për rreth 30%, pohon për Radio Kosovën, Liridon Neziri, udhëheqës i Divizionit për Shtetësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Gjatë vitit 2020 kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës Kosovës mbi 3 mijë e 600 persona. Krahasuar me vitet paraprake ky numër është më i vogël pothuajse për rreth 30 për qind. Arsyet ndoshta mund të jenë edhe shkaqet pandemike që kanë ndodhur në tërë botën dhe kryesisht në ato vende ku janë të fokusuar shtetasit tanë me qëndrime rezidentë në vende të ndryshme”, tha ai.
Neziri, përmend njërën nga arsyet kryesore që po i shtynë kosovarët të kërkojnë të lirohen nga shtetësia.
“Disa shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë për shtetasit të cilët nuk janë pjesë e BE-së. Ju e dini se ne kemi një numër jashtëzakonisht të madh të shtetasve tanë me qëndrim rezidentë në disa prej shteteve të Bashkimit Evropian, që tashmë janë integruar atje dhe pjesa më e madhe e tyre janë shtetas të Kosovës, apo edhe kanë lindur atje”, tha ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë viteve 2017 dhe 2018, nga shtetësia kosovare kanë heqë dorë mbi 11 mijë persona.
Ndërkohë, ndër vite ka edhe kërkesa për fitimin e shtetësisë.
Sipas të dhënave të MPB-së, gjatë vitit 2020, numri i kërkesave për fitimin e shtetësisë ishte 338. Pas shqyrtimit të këtyre dhe kërkesave të tjera, 177 kërkesa ishin pranuar, ndërsa 244 të tjera ishin refuzuar./Insajderi.com