BIK: Ata që janë të infektuar me COVID-19 të mos i frekuentojnë xhamitë

BIK: Ata që janë të infektuar me COVID-19 të mos i frekuentojnë xhamitë

Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, Bashkësia Islame e Kosovës u ka bërë thirrje besimtarëve myslimanë që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së Coronavirusit, transmeton Insajderi.

Sekretari i këtij institucioni, Ahmet Sadriu, ka theksuar se ata që janë të infektuar me COVID-19 nuk duhet t’i frekuentojnë xhamitë.

Ai po ashtu ka porositur personat e shtyrë në moshë që namazin ta kryejnë në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti publik.

“Ne i kemi eliminuar edhe iftaret dhe organizimet e tjera që i kemi mbajtur viteve të kaluar. Kemi pasur edhe ligjërata dhe tribuna që i kemi organizuar. Mos të harrojmë që xhamitë janë të hapura gjatë muajit të Ramazanit. Kemi bërë kërkesa i kemi përcjell tek të gjithë nëpunësit tanë dhe janë strikte dhe duhet të respektohen masat. Duhet të dezinfektohen, duhet që besimtarët që të mbajnë maskat dhe të respektohet distanca”, ka thënë Sadriu në Klan Kosova.

“Po ashtu ne kemi lëshuar edhe në qytete një qarkore ku kemi kërkuar që e xhumaja të falet disa here që të evitohen kontaktet. Po ashtu kemi kërkuar nga ata që janë të infektuar me COVID-19 të mos i frekuentojnë xhamitë. Edhe ata që janë në moshë të shtyrë që këto shërbime të i kryejnë në shtëpi. Gjithsesi edhe ajo pranohet”, ka shtuar ai./Insajderi.com