Namazi i Bajramit vazhdon të mbetet temë diskutimi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një kërkese për Bashkësinë Islame të Kosovës dëshiron që falja e namazit të Bajramit të bëhet nëpër sheshe, në rastin konkret në sheshin e Mitrovicës.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka ndaluar faljen e namazit të Kurban Bajramit nëpër gjitha xhamitë e Kosovës shkak i situatës me pandeminë.
“Pra, na si institucion komunal në bashkëpunim me degën e BIK-ut në Mitrovicë, jemi të gatshëm t’i bëjmë gjitha përgatitjet e nevojshme që falja e namazit të Kurbam Bajramit të organizohet në sheshin e Mitrovicës duke respektuar rekomandimet e IKShP-së për mbajtjen e distancës sociale prej 1.5 metra përmes vendosjes së pikave, bartjes së maskave dhe materialit dezinfektues”, ka shkruar Bahtiri.
Krye-imami i Kosovës, Sabri Bajgora për Insajderi.com kishte thënë se Bajrami do të falet duke respektuar masat mbrojtëse, derisa në momentet e fundit përmes një adresimi për media myftiu, Naim Tërnava ka thënë se namazi i Bajramit do të pezullohet. /Insajderi.com/