BIK-u sqaron detajet e pazbuluara për Xhaminë e Madhe- Sa vota mori nga publiku

BIK-u sqaron detajet e pazbuluara për Xhaminë e Madhe- Sa vota mori nga publiku

Një ditë pasi Insajderi botoi një shkrim nëpërmjet së cilit tregohej kronologjia e procesit të përzgjedhjes së projektit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, dhe bashkë me të edhe disa detaje të cilat Bashkësia Islame e Kosovës nuk i ka treguar fare, ka ardhur reagimi dhe sqarimi i BIK-ut.

DETAJET QË BASHKËSIA ISLAME KURRË NUK I SQAROI: MISTERI I ZGJEDHJES SË PROJEKTIT PËR XHAMINË E MADHE

Por BIK këto sqarime i ka dhënë për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu Agency AA” duke u përgjigjur krejtësisht në pyetjet që shtronte artikulli i botuar në Insajderi.

Njëra nga këto pyetje ishte edhe vota e publikut për projektin e Xhamisë Qendrore që ka qenë e hapur gjatë periudhës kur BIK ka ekspozuar në Hotel Grand.

Sipas zëdhënësit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, projekti fitues për Xhaminë Qendrore në Prishtinë ka marrë mbi 14 mijë vota.

“Ky projekt ka marrë mbi 14 mijë vota që do të thotë se kemi të bëjmë me një projekt që është pëlqyer dhe përzgjedhur nga qytetarët. Nuk është projekt i zgjedhur vetëm nga ana jonë apo vetëm nga komisioni i projektuesve apo arkitektëve. Do të thotë se kemi të bëjmë me një procedurë e cila ka rezultuar me këtë projekt që e kemi sot dhe që mendojmë ta realizojmë në të ardhmen”, ka thënë Sadriu.

Ai ka sqaruar edhe detajet e tjera për të cilat Insajderi të hënën kishte shkruar: si është zgjedhur projekti fitues, pasi në konkursin ndërkombëtarë për projektin e Xhamisë Qendrore janë zgjedhur  dy projekte për vendin e parë dhe një për vendin e tretë.

Ai ka thënë se komisioni ndërkombëtar i përbërë nga arkitektët e njohur të Bosnjë e Hercegovinës, Italisë dhe Turqisë si dhe arkitektët e njohur vendor kanë ardhur në përfundim që të zgjidhen 3 projektet kryesore dhe me votat e qytetarëve është zgjedhur projekti i cili mendohet të ndërtohet.

BIK-u ka sqaruar edhe faktin se projekti i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, ngjason me Xhaminë në Stamboll, pasi edhe kompania që ka dizajnuar projektin fitues është nga Turqia.

Sipas BIK-ut, projekti i xhamisë në fjalë nuk është se ngjan me arkitekturën e shekullit të 15-të dhe me stilin e një xhamie në Turqi.

Sadriu i ka quajtur këto “akuza me tendenca politike”.  Sipas tij arkitektura e kësaj xhamie është praktike dhe prezente në rajonin e Ballkanit duke theksuar se plani i xhamisë ka të bëjë me një stil tradicional i cili është prezente në kryeqytet dhe anembanë qyteteve të Ballkanit./Insajderi.com