Bilall Sherifi i Nismës i bindur se do ta kalojnë pragun

Bilall Sherifi i Nismës i bindur se do ta kalojnë pragun

Bilall Sherifi i Nismës pret që shefi i tij në parti, Fatmir Limaj dhe liderët e partive tjera politike të takohen gjatë javës së ardhshme për ta diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit, njofton Insajderi.

Sipas tij, qëndrimet e partive për këtë temë duhet të shprehen vetëm aty. Sherifi ka folur edhe për sondazhet, ndërsa është shprehur i bindur se Nisma e kalon pragun kurdo që mbahen zgjedhjet.

Nisma Socialdemokrate nuk preferon që ta bëjë publik qëndrimin e saj për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Bilall Sherifi, ka thënë pë Express se javën e ardhshme presin që të takohen kryetarët e partive në koalicion për ta shqyrtuar këtë çështje.

Sherifi ka thënë se ka disa javë që partnerët e koalicionit qeverisës nuk kanë folur me njëri-tjetrin për zgjedhjen e presidentit.

“Diskutimet e fundit për këtë çështje kanë qenë publike. Nuk ka takim të ri nga takimet që janë mbajtë para dy javësh apo tri, nuk e di saktë. Nuk ka ndonjë takim të ri. Dhe ajo që pritet është java e ardhshme, me u mbajtur një takim. Shpresohet së paku që z. Limaj, z. Mustafa, z. Haradinaj, të takohen dhe pastaj të fillojnë bisedimet rreth kësaj çështje së bashku me përfaqësuesin e PDK-së, përkatësisht z. Enver Hoxhaj. Nuk ka ndonjë datë të caktuar, por shpresojmë që kjo javë të jetë java që do të fillojnë të takohen. Por nuk ka ndonjë zhvillim kështu konkret”, tha Sherifi. “Përndryshe nuk ka ndonjë zhvillim të ri përtej atyre që janë diskutuar edhe në debate televizive siç e keni pa”.

Sipas tij, është më mirë që palën në diskutimin për presidentin t’ia shprehin qëndrimet e tyre njëri-tjetrit në tryzë përpara se të flasin për këtë çështje në publik. Sherifi tha se sa herë që po ndodh kjo e dyta para të parës, po vështirësohet harmonizimi i qëndrimeve në tavolinë.

“Z. Limaj do ta përfaqësoj qëndrimin e Nismës në tryezë. Nuk mendoj që – s’ë paku pikëpamja ime është kjo – nuk mendoj që tryezën duhet ta zhvendosim në publik. Mendoj që për ta ruajtur palët njëri-tjetrin, së pari duhet të shpërfaqin pikëpamjet e tyre në tavolinë dhe pastaj të dalin në publik. Siç po e shihni, sa herë që gjërat dalin më para në publik, pastaj është vështirë që të harmonizohen në tavolinë. Nisma mendon që para se të bëhet publike, atëherë duhet me u ulë në tavolinë, sepse bërja publike i krijon vështirësi takimit në tavolinë”, tha Sherifi.

I pyetur nëse në tryezën e paralajmëruar do ta propozojnë shefin e partisë për president, Sherifi ka refuzuar të përgjigjet, por ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit në atë tryezë duhet të përcaktohen së pari nëse duan ta zgjidhin çështjen e presidentit, apo nëse duan të shkojnë në zgjedhje.

“Nuk dua të hy në këto. Unë mendoj se sikur për z. Limaj, sikur për z. Haradinaj, sikur për z. Mustafa, duhet të vlejnë të njëjtat principe, të njëjtat parime. Pra, së pari duhet të vendosin nëse duan ta zgjedhin presidentin apo jo. Nëse nuk duan ta zgjedhin presidentin, atëherë duhet t’u hapet rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Nëse duan ta zgjedhin presidentin, duhet t’i shikojnë formulat e kompromisit. Nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Sherifi.

Ai i ka komentuar edhe sondazhet që po bëhen për zgjedhjet e ardhshme, disa prej të cilëva e renditin Nismën nën pragun minimal për t’u futur në Kuvend. Sherfi është shprehur i bindur se Nisma do të jetë sërish në Kuvendin e Kosovës, kurdo që mbahen zgjedhjet.

“Unë një send mund t’ju siguroj, që Nismën do ta keni sërish në Kuvendin e Kosovës pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet tash, a do të mbahen në pranverë, a do të mbahen vitin e ardhshëm apo pas një viti… Nismën sërish do ta keni pjesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kaq mund t’ju them”, tha ai.

Për këtë, Sherifi ka thënë “mund t’ju siguroj dhe mund të më mbani për fjale në të ardhmen”