Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, është deklaruar rreth gjendjes së tij shëndetësore, duke bërë të ditur se po e merr veten, njofton Insajderi.com.
Me anë të një videoje të shpërndarë në Twitter, Clinton ka dhënë një përditësim mbi gjendjen e tij dhe ka njoftuar se është kthyer në shtëpi.
Në këtë video, Clinton falënderoi miqtë dhe mjekët për mbështetjen e kujdesin ndaj tij, derisa ishte i shtruar në spitalin në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Californisë.
“Jam vërtet i lumtur që jam kthyer në shtëpi. Po përmirësohem duke shijuar këtë mot të bukur të vjeshtës. Jam duke e marrë veten, por dua t’u kujtoj të gjithëve që të marrin kohë për të dëgjuar trupin tuaj dhe të kujdeseni për veten”, tha Clinton.
Ish-presidenti Clinton u shtrua në spital për një infeksion të traktit urinar, që u përhap në qarkullimin e gjakut.
Bill Clintoni gjatë kohës që shërbente si president ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999. /Insajderi.com