Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë treguar nëse do të mbahet ndonjë takim i ri rreth bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat janë të lehtësuara nga BE, njofton Insajderi.
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nacionale në Kosovë duket se do ta vë në pauzë dialogun me Serbinë.
Ndërkaq, përcjellësit e bisedimeve kosovaro-serbe thonë se fati i këtij procesi më shumë se kurrë më parë varet nga rezultati i votimeve që pritet të mbahen më 14 shkurt si dhe më pas zgjedhja e presidentit të ri.
“Zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe kërkimi pasues për një shumicë parlamentare të nevojshme për të zgjedhur një President të ri, duhet të çojë në përfundim ose të paktën zvogëlim të përçarjes që deri më tani e pengoi Kosovën të ishte palë e barabartë në negociata me Serbinë. Shpresoj që së shpejti pas 20 janarit, Amerika dhe Evropa të bashkojnë forcat për rivendosje reale të negociatave, bazuar në parime të qarta që do ta bënin më të lehtë për partitë e Kosovës bashkimin e forcave, në vend që të minojnë pozicionin e Kosovës në Bruksel” thotë Bodo Weber, ekspert gjerman për Ballkanin.
Nga ana tjetër, hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, pohon se shpesh procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi bie në kriza për shkak të zhvillimeve politike sidomos në Prishtinë. /Insajderi.com