
Zoran Zaev shprehet i kënaqur me dinamikën e bisedimeve të krijimit të qeverisë së re të Maqedonisë.
Ai sqaroi se diskutimet me krerët e partive shqiptare janë në fazën e ndarjes së ministrive, ku sipas kreut socialdemokrat mbetet shumë e rëndësishme cilësia e emrave të propozuar.
Kjo e fundit, sipas radios “Europa e Lirë”, do të jetë dhe çështja finale e hedhur në tryezë. Burime të brendshme thonë se e gjithë maratona e negociatave mund të marrë fund brenda javës.
Zaev mund t’ia kalojë pas kësaj në Parlament propozimin e përbërjes së qeverisë së re dhe ligjvënësit mund ta votojnë javën që vjen. Së bashku me tre partitë shqiptare, sociademokratët kontrollojnë 67 nga 120 vendet e Parlamentit.
Zaev e ka bërë të qartë se qëllimi tij si personi i mandatuar me formimin e ekzekutivit është të përfshijë të gjitha partitë që siguruan nënshkrimet për marrjen e mandatit.
“Shanset janë të hapura për të gjitha partitë dhe besoj se edhe shanset e tyre drejt nesh janë të hapura. Qëllimi im është ashtu siç thashë, të gjitha partitë nënshkruese të jenë pjesë e qeverisë”, ka deklaruar ai.
Në mesin e kushteve të vendosura nga partitë shqiptare e të konsideruara të pranueshme edhe prej tij është integrimi në NATO dhe BE, sundimi i së drejtës dhe shtetit ligjor, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, vendime konsensuale, përgjegjësia e qeverisë, etj.
Zaev pritet të zhvillojë dhe një takim me kreun e lëvizjes Besa për të marrë edhe qëndrimin e kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen apo jo në qeverinë e ardhshme.