Bisedimet VV-LDK – bëhen bashkë Bahtiri dhe Veliu

Bisedimet VV-LDK – bëhen bashkë Bahtiri dhe Veliu

Kryetari i Mitrovicës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është shprehur i bindur se javën që po hyjmë do të arrihet marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së për qeverisjen e përbashkët në mandatin katër vjeçar.

Kjo sipas tij do të ndodhë posa Albin Kurti të kthehet nga Berlini në Kosovë.

Bahtiri ka thënë se ka biseduar me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu për të zhbllokuar ngërçin mes dy subjekteve politike.

“Dje jam takuar me Agim Veliun dhe kemi biseduar për këtë çështje dhe marrëveshja do të arrihet”, ka thënë ai për Express.

Ai tutje ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme do t’i takojë Vetëvendosjes.

Gazeta Insajderi ka raportuar dje se tashmë ministritë janë ndarë dhe se MPB do t’i takojë LDK-së.

Takimi i ditës së hënë mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk arriti të prodhojë rezultatin e pritshëm për një koalicion mes dy partive.

Dy liderët nuk u pajtuan për postin e Presidentit të cilin po e kërkon LDK-ja.

Kurti dhe Mustafa në parim janë pajtuar që kabineti qeveritar të përbëhet nga 12 ministri./Insajderi.com