Bislimi: Engel dhe Albright dhanë mesazhe shumë të mira

Bislimi: Engel dhe Albright dhanë mesazhe shumë të mira

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësueseve në SHBA, Eliot Engel, sërish ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se është një realitet i pakthyeshëm.

Ndërsa edhe Ish Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeliene Albright, ka thënë në fjalimin e saj se ndërhyrja e ushtrisë amerikane dy dekada më parë bashkë me aleatët ndërkombëtarë ka qenë veprim i duhur.

Faton Bislimi nga LDK-ja mesazhin e Engel dhe Albright i ka quajtur si “më të mirat që mund t’i jepen administratës në ardhje të Bidenit”, njofton Insajderi.

“Është për t’u përshëndetur fakti që Engel ka vendosur ta mbajë këtë seancë dëgjimore, edhe pse në fund të mandatit të tij. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në çështjen e Kosovës,  s’ka diskutim. Edhe përkundër faktit që ai s’do të jetë më në Kongresin e SHBA-ve, e mira e punës është që në vend të tij do të vijë një kongresmen nga New York-u poashtu, Gregory Meeks, që është poashtu një njeri që ka luajtur rol të rëndësishëm për çështjen e Kosovës”.

“Deklaratat edhe të Engel edhe të Albright, janë vazhdimësi e politikës demokrate në përgjithësi në veçanti asaj të Clinton. Janë mesazhet më të mira që i ipen adiministratës në ardhje asaj të Biden. Edhe pse Biden nuk është që s’ka njohuri për çështjen e Kosovës. Ka 30 vite që Biden ka qenë i angazhuar fuqishëm në çështjen e Kosovës”, tha Bislimi për Klan Kosova.

Bislimi ka theksuar që për Kosovën është një fat i madh miqësia e vazhdueshme me SHBA-të.

“Për ne, si shqiptarë fati ynë i madh ka qenë dhe mbetet miqësia me speciale me SHBA-të, të cilët vazhdojnë të jenë aleati pazëvendësueshëm në përpjekjen tonë në shtetndërtimin e Kosovës. Pa SHBA-të, Kosova do ta ketë vështirë ecjen përpara”, tha ai./Insajderi.com